Raporti i Policisë për 6-mujorin: Më pak raste kriminale dhe më pak viktima në trafik
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka mbajtur takimin e rregullt të punës, ku është prezantuar raporti periodik për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas raportit, rezultatet tregojnë një përmirësim të situatës së sigurisë, me ulje të numrit të përgjithshëm të rasteve për 1.6 për qind dhe të incidenteve për 7.4 për qind, si rezultat i masave parandaluese, planeve operative dhe angazhimit të shtuar të zyrtarëve policorë në terren.
Statistikat tregojnë gjithashtu rënie në disa prej kategorive kryesore të veprave penale. Vjedhjet janë ulur për 6.7 për qind, grabitjet për 39.1 për qind, rastet e dhunës në familje për 10.1 për qind, ndërsa lëndimet trupore kanë shënuar rënie prej 8.5 për qind.
Përmirësime janë evidentuar edhe në fushën e sigurisë rrugore. Numri i përgjithshëm i aksidenteve ka rënë për 5.6 për qind, ndërsa aksidentet me pasojë vdekjen kanë shënuar ulje prej 28.6 për qind, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara dhe zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Gjatë takimit është vlerësuar puna dhe përkushtimi i zyrtarëve policorë, ndërsa është ritheksuar angazhimi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë për të vazhduar me aktivitete parandaluese, plane operative dhe veprime të koordinuara, me synimin për forcimin e rendit publik dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët.


