75 Mall Live Search
12:21 / E Martë, 14 Korrik 2026 / Z S

Kadrijaj: S’jemi të interesuar për partneritet me LVV-në

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Aleanca nuk është e interesuar të hyjë në partneritet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë.

Sipas saj, nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reflekton ndaj gjashtë kërkesave të AAK-së, ndër të cilat është edhe pranimi i projektit të gazit amerikan, atëherë Aleanca do ta shqyrtonte mundësinë që deputetët e saj të qëndrojnë në sallë gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit.

Në një përgjigje për RTV21, Kadrijaj tha se Kurti po e zvarrit procesin e formimit të institucioneve të reja dhe nuk ka treguar gatishmëri për të adresuar kërkesat e Aleancës.

“Nuk kanë reflektuar ndaj kërkesave të Aleancës dhe nuk kemi çfarë të negociojmë, sepse nuk dëshirojmë të jemi partnerë me LVV-në në qeveri. Nuk kemi ndonjë kërkesë tjetër. Nëse reflektojnë ndaj kërkesave të Aleancës, ne jemi zotuar se do të qëndrojmë në sallë për zgjedhjen e presidentit”, tha Kadrijaj.

Aleancaa ka bërë të ditur se mbështetja e saj për procesin e zgjedhjes së presidentit lidhet me përmbushjen e disa prioriteteve programore, të cilat sipas kësaj partie janë në interes të shtetit.

Orientimi strategjik & Gazi amerikan – Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si prioritet jetik shtetëror.

Pavarësia energjetike – Fillimi i menjëhershëm i procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill.

Lehtësime për biznese të vogla – Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro.

Mbështetje për bujqësinë – Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë për të nxitur prodhimin vendor.

Buxhetimi i Infrastrukturës – Financimi i plotë buxhetor i projekteve rrugore e kapitale që kanë mbetur të pezulluara.

Fondi emergjent për kryeqytetin – Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove investime kapitale për Prishtinën.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk i ka komentuar kërkesat e Aleancës, por ka deklaruar se nuk është mirë që kryetari i Aleancës Ardian Gjini nuk ka pranuar që të takohet më të./Indeksonline/