Fillojnë testet provuese për PISA 2018 (Video)
Medina Fejzullahu, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, është në mesin e rreth 6 mijë nxënësve kosovarë që do të marrin pjesë në testimin ndërkombëtar PISA.
Ajo këtë test po e pret me shumë entuziazëm duke e pasur në të njëjtën kohë krenari dhe privilegj që do ta prezantojë shtetin e saj në këtë test. 15 vjeçarja shpreson që ajo dhe bashkëmoshatarët e saj do ta rangojnë Kosovën në një vend më të mirë, sesa që ka qenë në vitin 2015.
Tash e disa ditë Medina së bashku me 27 nxënës të tjerë të shkollës kanë filluar të mbajnë orë shtesë për t’u përgatitur për test, ndërsa qysh nga kjo javë ata do t’i nënshtrohen një testi provues nga Ministria e Arsimit.

Kësaj radhe testi PISA do të mbahet në mënyrë digjitale, por që kjo nuk po iu pengon nxënësve. Madje ata po e quajnë edhe përparësi duke qenë se janë duke jetuar në kohë të teknologjisë.
Meriton Bajrami nga shkolla “Elena Gjika” thotë se për të nuk përbën problem që testi do të mbahet në mënyrë digjitale.

Testi ndërkombëtar i vlerësimit PISA që do të mbahen në fund të muajit prill dhe në fillim të muajit maj, ka mobilizuar si MASHt-in ashtu edhe drejtoritë komunale, drejtorët e shkollave, prindërit dhe vet nxënësit.
Shkolla fillore e mesme e ulët “Elena Gjika” ka filluar përgatitjet për këtë test. Nga kjo shkollë pjesëmarrës në këtë test do të jenë 27 nxënës të moshës 15 vjeçare.
Koordinatori i shkollës “Elena Gjika” për testin PISA, Zymer Cakolli ka thënë për KosovaPress, se nxënësit e kanë vullnetin për të mbajtur orë shtesë dhe për t’u përgatitur sa më mirë për këtë test.

Në bazë të përgatitjeve që si shkollë kanë bërë, Cakolli shprehet optimist se Kosova do të dal mirë nga ky testim ndërkombëtar.
Nga komuna e Prishtinës në testin PISA do të marrin pjesë 20 shkolla, 12 shkolla të mesme dhe tetë shkolla fillore.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, shprehet optimist se përgatitjet që i kanë bërë dhe mobilizimi do të ndikojë pozitivisht në rezultat, edhe pse nuk pret rezultate spektakulare.

MASHT-i ka formuar një komision për testin PISA, i cili do të mbajë dy teste provuese me nxënësit pjesëmarrës në këtë testim.
Këshilltari i ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, Valmir Gashi, ka bërë të ditur se komisioni i formuar ka bërë një plan të punës, ku është paraparë që të mbahen edhe dy teste provuese për nxënësit që do të marrin pjesë në PISA.

Në testin ndërkombëtar PISA do të marrin pjesë rreth 6 mijë nxënës dhe 212 shkolla, i cili pritet të mbahet në fund të prillit dhe në fillim të maj.