09:46 / E Mërkurë, 14 Mars 2018 / indeksADMonline

Shqipëria e Kosova me plane afatgjata për zhvillimin e industrisë së minierave

Në 16-17 maj, 2018 do të zhvillohet në Prishtinë Konferenca Ndërkombëtare me titull” Sektori minerar dhe resurset minerale Kosovë-Shqipëri”.

Konferenca, e cila është “frut” i një pune të përbashkët midis Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në Shqipëri dhe Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet në Kosovë fton për të marrë pjesë institucionet minerare, por edhe ato akademike nga mbarë bota.

Në kuadër të bashkëpunimit për këtë nismë, drejtori ekzekutiv i AKBN, Adrian Bylyku, priti një delegacion të Komisionit të Pavarur Minierat dhe Mineralet të Kosovës të drejtuar nga Musa Shabani, kryetar i Bordit të KPMM-së.

Bylyku shprehu mbështetjen e plotë të organizimit të kësaj konference ndërkombëtare. “Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore mbështet organizimin dhe kurorëzimin me sukses të konferencës ndërkombëtare për industrinë minerare”, u shpreh kreu i AKBN. Ai vuri në dukje se bashkëpunimi duhet të shkojë me tej, duke hartuar plane afatgjata në funksion të zhvillimit të industrisë minierave midis dy vendeve. Bylyku propozoi që kjo konference të organizohet çdo vit, ide kjo që u mirëprit edhe nga KPMM.

Konferenca ka për qëllim prezantimin aktual të industrisë minerare të dy vendeve, si: hulumtimi, shfrytëzimi, përpunimi i resurseve minerale në Kosovë dhe Shqipëri. Më tej, pjesë e diskutimit do të jenë legjislacioni, politikat minerare dhe mundësitë për zhvillim në të ardhmen.

Në këtë pikë u krijohet mundësi pjesëmarrësve paraqitjen e ideve përmes prezantimeve, ndërmarrjeve minerare vendore dhe të huaja dhe institucioneve tjera. Po ashtu, përmes prezantimeve mund të shfaqen vlerësime apo ide për rrjedhat aktuale minerare në nivel global, rajonal dhe lokal, me theks të veçantë investimet në sektorin minerar të Kosovës dhe Shqipërisë.