Qytetarët të indinjuar me tarifat e “Rrugës së Kombit”
Qytetarët nuk e mirëpresin vendimin e autoriteteve të Shqipërisë për vendosjen e taksës rrugore në “Rrugën e Kombit”, përderisa thonë se tarifat janë të larta, pavarësisht të drejtës së tyre për vendosjen e taksës.
Vendimi me të cilin shtetasit e Kosovës obligohen të paguajnë taksë prej 10 euro për çdo vajtje-ardhje nga Shqipëria, ka bërë që të ketë reagime nga më të ndryshmet lidhur me këtë çështje. Në një anketë të realizuar nga KosovaPress, qytetarët kanë shprehur bindjen e tyre se taksa e vendosur do të ndikojë edhe në uljen qarkullimit të njerëzve dhe mjeteve për Shqipëri.Kështu Ajvaz Abazi nga Prapashtica, ka thënë se përkundër asaj se një taksë e tillë është e mirëseardhur, çmimi i saj është shumë i lartë.Derisa kolegu i tij, Nasuf Krasniqi shprehet krejtësisht kundër kësaj takse, duke thënë se si e tillë ajo ka zbehur edhe emrin e autostradës, të quajtur “Rruga e Kombit”.
Në anën tjetër është Shukrije Sveçla që propozon që çmimi i kësaj takse të përgjysmohet.
Ka edhe qytetarë që duke e pranuar taksën, pranojnë edhe vlerën e saj.
Madje për Rexhep Ahmetin, një taksë e tillë dëshmon se Kosova është duke u përgatitur për Evropë.Sipas tij, taksa prej 5 euro nuk është aq e lartë sa të paraqes problem për bizneset dhe njerëzit që shkojnë për pushime në Shqipëri.Qazim Zhushi nga Prishtina ka bërë një krahasim në mes të taksës në fjalë dhe pagesës së padrejtë të rrymës që shqiptarët paguajnë për serbët në veri të Kosovës.
Ndryshe, taksa për çdo vajtje-ardhje prek edhe bizneset e Kosovës, të cilat obligohen të paguajnë në vlerë prej 10 euro sa herë që kalojnë në “Rrugën e Kombit”.