Maloku kujton kohën kur deputetët votuan kundër pensioneve për punëtorët e arsimit
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doruntinë Maloku ka thënë se më 22 dhjetor të vitit 2017, nuk kishte kaluar amendamenti për përfshirjen në buxhet të pensioneve të kontributdhënësve për kategoritë e punëtorëve të arsimit, shëndetësisë dhe të lëmive të tjera që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës gjatë viteve 1989-1999.
Duke treguar edhe ata që kishin votuar Pro dhe Kundër, Maloku thotë se ky amendament ishte i propozuar nga 4 deputetë të LDK-së.
“Më 22 dhjetor të vitit 2017, kur u votua buxheti i vitit 2018, 4 deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani, Doruntinë Maloku, Armend Zemaj dhe Arben Gashi propozuan amendament për përfshirjen në buxhet të pensioneve kontributdhënëse për kategorinë e punëtorëve të arsimit, shëndetësisë, dhe të lëmive të tjera që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e Presidentit Ibrahim Rugova gjatë viteve 1989 – 1999. Amendamenti do të kalonte sikur deputetët e koalicionit qeverisës, përfshirë deputetët e partisë së Kryeministrit, ta votonin PRO e jo kundër. Më poshtë keni tekstin e Amendamentit dhe listën zyrtare të votimit të këtij Amendamenti nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ajo.