75 Mall Live Search
16:28 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

Jashari për tryezën ku ishte edhe Lushtaku: Kryeministri më luti, tha hajde se jam në territor tëndin

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari e ka sqaruar praninë e tij në tryezën e liderëve të vendit, në shtëpinë e Sami Lushtakut. Jashari ka treguar se ishte Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ai i cili e luti të shkonin bashkë në konakun e ish- kryetarit të Skenderajt. Lushtaku e Jashari ishin përplasur së fundmi pasi kryetari aktual i Skenderajt e akuzonte Lushtakun për bojkotim të punës në Kuvendin komunal.

Tre udhëheqësit e institucioneve më të larta të vendit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj e kryeparlamentari Kadri Veseli, kanë qëndruar dje në shtëpinë e Sami Lushtakut.

Përveç liderëve, ajo që ra në sy ishte edhe prania e Bekim Jasharit në shtëpinë e Lushtakut, pas akuzave të rënda që dyshja drejtonte ndaj njëri  – tjetrit.

Por Jashari duke e komentuar për Gazetën Express këtë drekë në konakun e Lushtakut, tha se gjithë kjo u bë me ftesë të Ramush Haradinajt. Tha se kryeministri e luti atë për ta shoqëruar në shtëpinë e zyrtarit të PDK’së.

“ E pata në vizitë kryeministrin se aj ka pas ftesë, e më tha hajde jam në territor tëndin mos mem lan vetëm”, tregoi Bekim Jashari rreth këtij takimi.

Megjithëse, kryetari i Skenderajt e pranon se pas përplasjeve që i kishin pasur më herët, ata vazhdojnë e rrijnë prapë, por thekson se të këqijat që dikush i ka bë nuk e ka ndërmend të ia fsheh, përfshirë këtu edhe Saminë.

Kështu tha Jashari, duke aluduar në deklaratën e tij që kohë më parë përveçse e ka akuzuar për bllokim të punës së Komunës së Skenderajt, kishte thënë se se Lushtaku gjatë luftës “i ka lënë babën dhe mixhën e tij në Kosovë ndërsa vetë ka ikur në Gjermani”

“Unë s’e kam medjen me ja fsheh të këqijat kërkujna, as Samisë e as kërkujna që ban keq.

Veç qysh i parasheh ligji senet krejt”, ka shtuar Jashari, i cili bëri të ditur se tash puna në Komunë është duke i shkuar mirë.

Jashari po ashtu tha se më ish- kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun, kanë pasë raporte më herët, por që as tash nuk i kanë të këqija.