75 Mall Live Search
16:06 / E Diele, 06 Maj 2018 / indeksADMonline

​Zaev premton depolitizimin dhe profesionalizimin e policisë

Rreth 600 policë të Maqedonisë u mblodhën sot në Shtip me rastin e Ditës së Policisë, për të prezantuar aftësinë e tyre me ushtrime demonstruese.

Kryeministri Zoran Zaev, ministri dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Spasovski dhe Nuhiu, u ndamë çmime gjashtë pjesëtarëve të policisë për punën e deritanishme.

Zaev tha se po punohet në de-politizimin dhe profesionalizimin e policisë, duke potencuar se Qeveria aktuale asnjëherë nuk do të përdorë policinë për qëllime personale.

“Është shumë e rëndësishme që Maqedonia t’i profesionalizoj dhe t’i depolitizojë shërbimet dhe të ndërtojmë sistem që do ti sigurojë funksionet themelore të policisë, pavarësisht ndërrimit të pushteteve. Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk guxojnë më asnjëherë që të keqpërdoren për qëllime politike për arsye të mbështetjes së disa personave në Qeveri”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

I pari i uniformave blu, Oliver Spaskovski premtoi kushte më të mira duke përfshi edhe rritjen e rrogës që nga muaji dhjetor i këtij viti.

“Nga 1 dhjetori i vitit 2018, me përkushtimin tonë dhe me mbështetjen e kryeministrit Zaev, 4900 polic do të ju rritet rroga, e cila për një vit Ministrisë do i kushtojë 79 milion denarë. Nga fondet e saja, Ministria ka siguruar uniforma për policët, janë blerë pajisje për matjen e alkoolit dhe radarë, janë pajisur me mjete stacionet policore dhe hapësirat e punës”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Por në njësitë speciale policore, siç janë Tigrat, Ujqit dhe Renxherët, shqiptarët janë thuajse 0% të përfaqësuar. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe zv/ministri i brendshëm Agim Nuhiu, i cili premtoi se nga viti i ardhshëm do të inkuadrohen edhe shqiptarë në këto njësi hermetikisht të mbyllura për shqiptarë deri më tani.

Ndërsa Oliver Spasovski tha se në njësitë elitare policore gjithmonë do të zgjidhen më të mirët duke mos bërë ndarje etnike. Përndryshe, policia vazhdimisht janë ankuar për mungesa të veshmbathjeve, mospagim i orëve shtesë dhe kushte jo të mira nëpër pika kufitare.

Temat: