Policia sqaron incidentin me priftin në Osojan të Istogut
Policia e Kosovës njofton se me datën 30 maj, rreth orës 07:30 prifti i kishës ortodokse në (fsh Osojan) Istog ka raportuar rastin e cilësuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Viktima S. M. Serb i Kosovës, i lindur më 1983, ka raportuar se disa persona e kanë sulmuar gjatë udhëtimit në “Motrat Qiriazi”, Zallq- Osojan.
“Menjëherë këtij rasti u janë përgjigjur njësitet relevante të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të mësuar të gjitha rrethanat lidhur me rastin. I dyshuari B.K. 1984 është shoqëruar dhe është intervistuar në stacionin policor Istog, hetuesit kanë intervistuar edhe dëshmitarët e rastit në fjalë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Aty përshkruhet gjithë varianti i ngjarjes.
“Derisa i dyshuari ishte pranë shtëpisë së tij në rrugë duke ngarkuar mjetet e punës së bashku me punëtorët e tij (dëshmitarët), për të shkuar në punë (ndërtimtari), viktima kishte ardhur dhe nga pamundësia që të kalojë kanë filluar të fjalosjen me të dyshuarin, me ç’rast i dyshuari dhe dëshmitarët deklarojnë se nuk e kanë goditur në automjet ankuesin por i kanë thënë atij që të vazhdojë rrugën dhe të mos i pengojë në punën e tyre”, thuhet në njoftim.
Policia tregon se në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Po ashtu është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit dhe tek i njëjti nuk është gjetur diçka e dyshimtë. Më urdhër të prokurorit të Shtetit i dyshuari lirohet dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”.
“Pas publikimit të shkrimeve të pavërteta nëpër disa media-portale serbe lidhur me rastin e lartcekur, Policia e Kosovës për hir të korrektësisë dhe transparencës së vazhdueshme që ka treguar me media dhe opinionin, demanton shkrimet e tilla tendencioze të këtyre mediumeve duke sqaruar më lartë lidhur me rastin e paraqitur në policinë e Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit të PK-së.