75 Mall Live Search
13:53 / E Premte, 29 Qershor 2018 / indeksADMonline

Alli pas takimit me Haradinajn: Mbështesim përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli në kuadër të vizitë në Kosovë, është takuar me kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit ka thënë pas takimit se i gëzohet bashkëpunimit dhe ardhjes së Alli në Kosovë, raporton Indeksonline.

“E gjithë perspektiva  e rajonit tonë është një fjalë. Ashtu sikurse vendet tjera edhe Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme”, tha Haradinaj.

Sipas tij,  Kosova dhe populli i saj do t’i jetë përjetë mirënjohës dhe asnjëherë nuk do ta harrojë ndihmën që NATO ka dhënë në të gjitha fazat e shtetndërtimit.

Haradinaj theksoi rolin e rëndësishëm të NATO-s në garantimin e paqes dhe të sigurisë dhe e vlerësoi forcën paqeruajtëse të KFOR-it si një partner të rëndësishëm në Kosovë.

Po ashtu, Haradinaj tha se Forca e Sigurisë së Kosovës e mbështetur nga NATO  në çdo periudhë të ndërtimit të saj, ka përmbushur kapacitet operative drejt transformimit në Forcën e Armatosur, në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërkaq,  Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, tha se NATO-ja dhe Kosova kanë një lidhje të fortë prej shumë vitesh dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

“Jam këtu sot si President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për të demonstruar edhe njëherë se Asambleja Parlamentare është shumë e afërt me Kosovën, është shumë e lidhur dhe e përkushtuar me Ballkanin Perëndimor, sepse ne mendojmë se Ballkani Perëndimor është pjesë esenciale e Evropës”, tha presidenti Alli.

Ai tha se janë duke bërë më të mirën për të mbështetur përpjekjet që Kosova është dukë bërë në procesin e reformës, që është e nevojshme për anëtarësim në NATO.

“Ne shohim progres real, ne shohim gjithashtu se ka punë për t’u bërë, veçanërisht në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por ne jemi të sigurt se udhëheqja e juaj është shumë e fuqishme dhe ju do të keni sukses në rrugëtimin tuaj për integrim euroatlantik”, tha Alli, duke theksuar se prezenca e misionit të KFOR-it, përpjekja që NATO ka bërë në vitet e kaluara për të kontribuar në stabilitet, në siguri dhe paqe, është dëshmi se Kosova dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë më afër Evropës. /Indeksonline/