Mbi 17 mijë të rinj ende në pritje që tu nënshtrohen testeve për polic
Mbi 17 mijë të rinj, qytetarë të Republikës së Kosovës, janë në pritje që tu nënshtrohen testeve për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
Por, ndonëse konkursi është mbyllur me 10 maj, ende aplikantët nuk janë njoftuar për datat e testimeve.
Në Policinë e Kosovës kanë thënë se Komisioni Përzgjedhës i themeluar nga PK po punon ende në shqyrtimin e aplikacioneve.
Pasi të përfundon kjo procedurë, sipas Policisë, do të bëhet publike lista me numrin e kandidatëve që plotësojnë kriteret për të vazhduar më pas me testimet.
“Komisioni përzgjedhës sipas procedurave të parapara ligjore vazhdon me shqyrtimin e ankesave eventuale”, është thënë në një përgjigje për Indeksonline nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
Madje thuhet se Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, në harmoni të plotë me të gjitha procedurat dhe kriteret e parapara, duke përfshirë edhe transparencën rreth kësaj çështje.
“Sikurse edhe proceset e kaluara edhe ky proces i rekrutimit ka qenë dhe do të jetë shumë transparent. Vetëm kandidatët që plotësojnë kriteret e parapara me konkursin e shpallur dhe ata që kalojnë me sukses testimet e parapara mund të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, duke iu referuar numrit të nevojshëm për rekrutim sipas listës meritore”, thuhet tutje nga Zyra për Informim.
Gjithashtu është shtuar se duke marrë parasysh se ka një numër të madhe të kandidatëve që kanë aplikuar edhe procedurat e parapara për këtë proces marrin kohë.
Ndryshe në konkursin e Policisë së Kosovës kanë aplikuar mbi 17 mijë e 600 persona për 300 vende pune. Konkursi ishte shpallur me 16 prill teksa ka përfunduar me 10 maj. /Indeksonline/