12:58 / E Enjte, 02 Gusht 2018 / indeksADMonline

Nivelet e pagave të bazohen edhe në rekomandimet e FMN-së

Oda Ekonomike Amerikane ka shfaqur shqetësimin lidhur me Projektligjin për pagat, pasi rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore dhe rrit hendekun e pagesave dhe u bën thirrje institucioneve vendore të tregohen të kujdesshme me nivelet e propozuara të pagave duke u bazuar në rekomandimet e FMN-së.

Në një deklaratë për media thuhet se aprovimi i Projektligjit për Paga në formën aktuale, do të kishte implikime të konsiderueshme dhe do të rriste deficitin buxhetor në vend.

“Krahas ndikimit buxhetor, Projektligji mbi Paga do të ndikonte negativisht edhe mbi tregun e punës në vend. Rritja e hendekut të pagesave do të nxiste edhe më shumë fuqinë punëtore që të konsiderojnë sektorin publik si punëdhënësin e preferuar, duke përkeqësuar edhe më tej situatën sa i përket boshllëkut të shkathtësive të fuqisë punëtore në sektorin privat, kjo tashmë e raportuar si njëra ndër pengesat më të shprehura në të bërit biznes. Të gjitha këto elemente do të dëmtonin prospektet për zhvillim të sektorit privat si dhe tërheqje të investimeve të huaja direkte”, thuhet në deklaratë.

Oda Ekonomike Amerikane u bën thirrje institucioneve vendore që të mos lejojnë që stabiliteti buxhetor të mos rrezikohet në asnjë rrethanë dhe të tregohen të kujdesshme me nivelet e propozuara të pagave në Projektligjin mbi Pagat, gjithnjë duke u bazuar edhe në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Rritja e pjesëmarrjes së pagave në buxhetin e vendit do të ndodhte në kurriz të rënies së investimeve kapitale që janë të një rëndësie shumë të madhe në aspekt të fuqizimit së sektorit privat dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik. Për më tepër, rritja e deficitit padyshim se do të çonte në rritjen e barrës tatimore për bizneset ekzistuese në vend, duke marrë parasysh nevojën për mbledhjen e më shumë të hyrave”, thuhet më tej në deklaratë.

Oda Ekonomike Amerikane përsërit kërkesën ndaj Qeverisë për dialog më aktiv me organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat dhe shoqërinë civile, derisa vetë mbetet e përkushtuar për të dhënë kontributin e saj në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me fuqizimin e sektorit privat në vend.

Temat: