Prokuroria gati për misionin vlerësues të BE-së
Nga data 24 deri me 28 shtator, në Republikën e Kosovës do të qëndrojnë disa ekspertë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në kuadër të një misioni vlerësues, të cilin e dërgon Komisioni Evropian për përparimin e vendit, në fushën e drejtësisë, përkatësisht për progresin në zbatimin e vendimeve gjyqësore në çështjet civile, komerciale dhe për çështjet që lidhen me to.
Lidhur me këtë situatë, përgjegjësit e drejtësisë besojnë se nuk janë keq sa i përket lëndëve të natyrës korruptive.
Në një prononcim për Indeksonline, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka thënë se janë duke punuar me intensitet të shtuar me qëllim të përmbushjes së kritereve të kërkuara nga BE.
“Të gjitha lëndët e shënjestruara kanë prioritet dhe pikërisht për këtë është krijuar një njësit për lëndë të natyrës korruptive dhe çdo të hënë prokurorët e njësitit raportojnë për progres sa i përket këtyre lëndëve”, ka thënë kryeprokurori Beka për Indeksonline.
Ndryshe, sipas Zyrës së BE-së në Prishtinë misionet e tilla vlerësuese ndihmojnë që të ketë sukses në fushën e sundimit të ligjit.
Misioni vlerësues i BE-së është një proces që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave.
Kujtojmë, se pas Demarkacionit me Malin e Zi, kriteri apo kushti i fundit i Bashkimit Evropian për Kosovën në kuadër të liberalizimit të vizave është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./Indeksonline/