Qosja: Nuk e kishin zgjedhur kot Kofi Annan Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së
Akademik Rexhep Qosja ka ndarë pjesë nga ditari i tij, që flasin për takimin që ai kishte me ish Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan, që u nda sot nga jeta. Ky ishte për vizitë në Kosovë pas Luftës Çlirimtare.
Si anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës, Qosja ka pasur rastin ta takoi gjatë një vizite që ai e bëri në Prishtinë. Përshtypjet nga ky takim Qosja i publikoi sot në një postim të shkëputur nga Ditari, vëllimi VIII, i cili sipas tij do të botohet së shpejti.
Pjesa e plotë nga ditari vijon më poshtë:
13.10.1999
*** Pas Bernar Kushnerit dhe gjeneral Rainhardit fjalën e merr Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Kofi Anani. Kofi Anani është më i shkurtër se ç’e tregojnë televizionet. Kofi Anani ka një pamje shumë origjinale dhe në këtë origjinalitet do të ketë kontribuar prejardhja e tij ndoshta disaracore dhe ndoshta disaetnike.
Në ngjyrën e fytyrës së tij janë shkrirë ngjyresa afrikane, aziatike dhe evropiane. Edhe në trajtën e kokës së tij do të jenë shkrirë trajta kokash të të tri këtyre kontinenteve. Kofi Ananin sytë e mi e shikojnë me adhurim për atë bashkim të jshtëzakonshëm e shumë të pëlqyer të të ndryshmeve. Të ndryshmet sjellin bukuri, dhunti, mençuri dhe maturi. Dhuntitë dhe virtytet e Kofi Ananit do të tregohen në plotësinë e tyre mbasi të fillojë të flasë – anglisht.
Flet për të përgjithshmet. Flet për të përbashkëtat njerëzore e politike. Përmend deportimet tona ( të dhunshme), përmend kampet në të cil at ishim vendosur në Maqedoni dhe në Shqipëri. Mandej flet për tolerancën, si e mirë e madhe e paqes mes njerëzve. Mandej flet për bashkëjetesën si pashmangshmëri e të sotmes dhe e të ardhmes së njerëzve. Fjala e tij ishte domethënshëm e sistemuar, e filluar dhe e përfunduar.
Fjalitë në të cilat ishte i përmbajtur qëllimi i ardhjes së tij shquhen me theks zanor dhe diksion pothuaj artistik. Mendoj: deri në moshën në të cilën jam nuk më kishte takuar të shoh figurë politike, shtetërore e intelektuale kaq përshtypjebërëse me origjinalitet pamor dhe me origjinalitet gojor. Nuk e kanë zgjedhur kot Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së.