Flet gazetarja shqiptare pas sulmit me kallashnikov: Duan të më frikësojnë
Pavasësisht se u raportua 8 orë me vonesë, media dhe institucionet afër saj janë alarmuar nga sulmi mbi banesën e gazetares Klodiana Lala.
Pak minuta më parë ka reaguar Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, lidhur me ngjarjen e rëndë, ndodhur gjatë natës në banesën e reporteres Klodiana Lala.
Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me 10 plumba në drejtim të banesës së prindërve, ku ndodheshin dy vajzat, prindërit, motra e vëllai, si dhe dy afërm të tjerë.
Vetë gazetarja nëpërmjet një reagimi ka deklaruar se dyshon se sulmi vjen si pasojë e punës së saj si gazetare.
Gjithashtu edhe UGSH dënon ashpër sulmin ndaj banesës gazetares Klodjana Lala dhe citon reagimin e vetë gazetares për zyrën e shtypit të UGSH-së, se sulmi është një tentativë e pastër për ta frikësuar për shkak të profesionit.
“Vetë gazetarja Klodjana Lala, i tha zyrës së shtypit të UGSH-së se sulmi është një tentativë e pastër për të frikësuar atë dhe ka ndodhur për shkak të detyrës së saj si reportere”
Deklarata e plotë:
Te dashur miq!
Po ju flas në emrin tim dhe të familjarëve të mi. Jemi mirë, asnjëri prej nesh nuk është lënduar.
Megjithatë, jemi të tronditur nga ngjarja. Duke i lënë institucionet të bëjnë punën e tyre, ju siguroj se unë dhe familjarët e mi, nuk kemi asnjë konflikt personal.
Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës time si gazetare. Këtë profesion e kam ushtruar me ndershmëri e profesionalizëm ndër vite, e do vazhdoj këtë detyrë me të njëjtin përkushtim, pavarësisht gjithckaje.
Falenderim Ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit që u angazhuan maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes.
Ju jam mirënjohës secilit prej jush që po më gjendet pranë në këto momente.