Të ardhurat marramendëse të Real Madridit për sezonin, 2017/18
Bordi i Drejtorëve të Real Madridit, i cili u takua në mbrëmjen e 6 shtatorit, tani është pajtuar që ta thërrasë Asamblenë e Përgjithshme për t’i shikuar rezultatet financiare të sezonit të kaluar.
Sezonin e kaluar, Real Madridi korri suksese të jashtëzakonshme duke e fituar edhe Champions Leaguen për herë të tretë radhazi.
Gjithashtu, klubi madrilen e fitoi Kupën e Botës për Klube si dhe Superkupën e Evropës dhe atë spanjolle, transmeton IndeksOnline.
Ndërsa, skuadra e basketbollit e fitoi Euroleaguen dhe ACB Leaguen. Si rezultat i kësaj, të ardhurat e klubit madrilen janë rritur, por gjithashtu ”Los Blancos” kanë pasur edhe shpenzime më të mëdha, sidomos në bonuset ndaj personelit.
Të ardhurat operative për sezonin, 2017/18 vitin e kaluar, pa i përfshirë transferimet e lojtarëve, kapin vlerën e 750.9 milionë eurove, 11.3% më shumë se sa në vitin paraprak.
Konkretisht, klubi madrilen ka pasur një rritje të të ardhurave prej 76.3 milionë eurosh, shuma më e lartë financiare e përfituar nga klubi që nga viti 2000.
Të ardhurat para intereseve, tatimeve dhe shpenzimeve të amortizimit kapin vlerën e 147.2 milionë eurove, 6.8% më mirë se sa në vitin paraprak.
Ndërsa, paraja e gatshme është 190.1 milionë euro, 12.1 milionë euro më shumë se sa në vitin paraprak./IndeksOnline/