75 Mall Live Search
19:50 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Detaje për bizneset e qendrave të masazhit ku ushtrohej prostitucion

Vajza të reja të kamufluara si masazhatore, ushtronin prostitucion në Tiranë, në qendra masazhi. Pas hetimeve që zgjatën rreth 7 muaj, Policia e Tiranës zbuloi se në qendrat masazhatore “Lefteri Beauty Centre”, “Tirana Masazh”, “Pushi Masazh” dhe “SPA Megu” përveç shërbimeve estetike ushtrohej edhe prostitucion.

Qendra e masazheve “Lefteri Beauty center”, ndodhet në rrugën e dibrës. Kjo qendër, tashmë e bllokuar me shirit policie,administrohej nga një prej vajzave të arrestuara, 34-vjecarja Lefteri Qerama. Në derën e jashtme të këtij ambienti shënohen disa shërbime  që ofrohen aty, kryesisht për femra. Megjithatë, klientët që paguanin për masazhe ekstra ishin meshkuj.

Nga kërkimet në rrjetet sociale rezultojnë dy adresa të hapura nga administratorja e kësaj qendre. Në postimet e saj shfaqen vajza të reja me veshje provokuese, ndërsa reklamohen masazhet relaksuese.

Të gjithë klientët e interesuar për masazhe duhet të paguajnë deri ne 50 mijë lekë te vjetra për 60 minuta. Ajo që bie në sy është fakti se kjo qendër bënte shpesh njoftime për punësimin e vajzave të moshës 20 deri në 35 vjeçe, me ose pa eksperience dhe në rrjetet sociale publikonte foto apo video  të tyre, me mbishkrimin, staf i ri. Pas një kërkimi në Qendrën kombëtare të biznesit rezulton se 34 vjeçarja Lefteri Qerama e ka nisur këtë biznes që në maj të vitit 2016.

Më diskrete ishte qendra e masazheve “Pushi masazh” në zonën e ish bllokut e administruar nga Anisa Mukaj, tashmë e arrestuar. Ajo ndodhej në katin e 5 të një pallati në rrugën Ismail Qemali dhe si njoftim kishte vetëm një tabelë në hyrje të pallatit ku shënohej edhe numri i telefonit. Bazuar në të dhënat e QKR ky biznes funksiononte që në shkurt të vitit 2016.

Ndërsa qendra Tirana Masazh me administrator Henkel Daka, tashmë i arrestuar, nuk rezulton i reklamuar në Facebook apo në rrugën Sami Frashri ku është biznesi.

Edhe në QKR ky biznes nuk rezulton i regjistruar. E njëjta gjë ndodh edhe me qendrën e masazheve “SPA Megu” me administrator 43 vjeçarin me iniciale M.M i cili është shpallur në kërkim. Në këto qendra policia sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 dvr kamera vëzhguese, 8 aparate celulare dhe disa pako me prezervativë.

Nga hetimet dhe vëzhgimet e policisë rezultoi se përveç masazhit standard vajzat e punësuara në këto qendra ofronin favore seksuale kundrejt pagesës nga 100 deri në 200 euro . 7 prej punonjëseve u proceduan nga policia për ushtrim prostitucioni.