75 Mall Live Search
11:51 / E Martë, 09 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kërkohet pension jetësor për familjet e personave që vdesin në vendin e punës

Përmes një proteste para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është kërkuar siguri për punëtorët në vendin e punës, e gjithashtu edhe zbardhja e rasteve të punëtorëve të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e tyre të punës.

Sipas organizatorëve, duhet të zbulohen shkaqet që kanë ardhur deri te vdekja e tyre dhe të marrin dënimin e merituar përgjegjësit.

Kushtrim Mehmeti nga Organizata Joqeveritare “Beyond The Wall”,  ka thënë se sot ata kanë vendosur 93 helmeta në grilat e oborrit të Qeverisë të cilat simbolizojnë vdekjen e 93 punëtorëve në vendin e punës, në sektorin e ndërtimtarisë.

Sipas tij, çdo rast që zbardhet do hiqet nga një helmet. Ndërsa nëse këto helmeta hiqen nga Qeveria, sipas tyre, tregon se ata janë bashkëkriminel dhe bashkëfajtor të atyre që kanë shkaktuar këto vdekje.

“Sot po vendosim 93 helmeta dhe do qëndrojnë këtu deri sa të zbardhen rastet e tyre. Nëse Qeveria tenton t’i largoj këto helmeta pa lejen tonë, ata llogariten bashkë-kriminel, bashkëfajtor me ata që kanë shkaktuar vdekjet në vendin e punës. Gjendja e punëtorëve është gjendje e mjerueshme dhe po protestojmë për vdekjet në punë. Brenda këtij viti kanë vdekur 18 persona. Derisa nuk ka rezultat atëherë është duke shkuar diçka keq”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti ka thënë se brenda dy jave do dërgojnë një listë me kërkesa drejtuar Qeverisë, ku njëra ndër pikat do jetë edhe kërkesa që familjet e personave të vdekur në vendin e punës të marrin pension jetësor, qofshin ata që kanë punuar në sektorin privat apo publik.

“Me 42 inspektor ata synojnë me inspektuar Kosovën në pjesën e të drejtave të punëtorëve.  Atk ka 400 inspektor. Pra kjo tregon se shteti është i interesuar për pare dhe jo për jetën e qytetarëve.  Protestojmë për të drejtat tona, edhe ne sot ose nesër mund të jemi pjesë e statistikave të vdekjeve në vendin e punës. Këto helmeta i kemi blerë 1.30 euro dhe këto tregojnë se nëse punëtorët i bartin ato, nuk i mbrojnë aspak. Qeverisë i kërkojmë të ndërmarrin diçka përndryshe do të vazhdojmë edhe më tej me aksione të ndryshme”, ka shtuar ai.

Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerret diçka, protestat nuk do jenë kaq paqësore./Indeksonline/