75 Mall Live Search
23:15 / E Hënë, 22 Tetor 2018 / indeksADMonline

Zvicra e donte me ngulm, por mbrojtësi i talentuar zgjodhi Kosovën

Përveç Benjamin Kolollit dhe Hekuran Kryeziut, Kombëtarja e Kosovës do ta ketë edhe një lojtar që paraqitet te skuadra e Zurich.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e talentuar kosovar, Mirlind Kryeziu.

Kryeziu e ka përfaqësuar Zvicrën në të gjitha grupmoshat e reja deri më tani, por tani do t’i ndajë rrugët me helvetikët.

Kjo pasi që Mirlindi e ka pranuar ftesën e Kosovës, ani pse Zvicra e kërkonte me çdo kusht qëndrimin e tij, transmeton IndeksOnline.

Ekskluzive: Zvicra e donte me çdo kusht por Kryeziu zgjodhi vendlindjen: Jam i lumtur, mezi po pres të luaj për Kosovën

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, mbrojtësi nga Mleçani i Malishevës flet për prapaskenat dhe zgjedhjen e Kosovës.

“Kam luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës ku më kanë besuar edhe shiritin e kapitenit në grupmoshat dhe jam krenar për këtë. Dua ta falënderojë këtë shtet për gjithçka që më ka dhënë”.

“Nuk ka qenë vendim i lehtë, por që e pata marrë më herët dhe për këtë e kam njoftuar me kohë Federatën e Futbollit të Zvicrës”.

“Kemi dalë në takim, kanë ardhur për të më lutur që mos të largohem nga Zvicra, por ju kam thënë se kam vendosur për Kosovën dhe dua ta ndihmoj vendin tim”, tha Kryeziu fillimisht.

Tutje, Mirlindi thotë se është i emocionuar që do ta veshë fanellën e Kombëtares kosovare.

“Të luash për vendlindjen tënde është privilegj dhe do të mundohem të jap gjithçka nga vetja për sukseset e Kosovës”, deklaroi Kryeziu.

Mbrojtësi me prejardhje nga Malisheva ka zbuluar se dy yjet e Kosovës e kanë bindur atë që ta përfaqësojë vendlindjen e tij.

“Hekurani dhe Benjamini gjithmonë më kanë treguar se kalojnë mirë në grumbullim. Vendimin e pata marrë por që edhe fjalët e tyre kanë ndikuar”.

“Do të jetë shumë mirë që tre shokë nga i njëjti klub të luajmë për Kosovën. Gjithsesi të gjithë jemi nga i njëjti shtet dhe duhet të mendojmë vetëm për të mirën e vendit tonë”.

Kryeziu ka pasur biseda edhe me trajnerin e Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes.

“Kam biseduar disa herë edhe me trajnerin dhe kjo ka rëndësi për mua, pasi ai ka treguar interes dhe më ka thënë se llogarit në shërbimet e mija”.

“I kam parë gjithmonë ndeshjet e Kosovës, luajmë një futboll të bukur dhe jemi në pozitë të mirë”.

“Besoj që me një angazhim të madh dhe përkushtim do të kalojmë nga Grupi dhe ta fitojmë Ligën D. Do të ishte një dhuratë e madhe për tifozët e mrekullueshëm”, përfundoi Kryeziu.

Me grupmoshat e reja të Zvicrës, Kryeziu ka zhvilluar plotë 22 ndeshje, dhe tani ai pritet të grumbullohet për ndeshjet e nëntorit./IndeksOnline/