75 Mall Live Search
22:49 / E Diele, 04 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Brnabiq: Jemi larg arritjes së marrëveshjes, liderët kosovar të lëvizin nga pozitat e rehatshme!

Kryeministri serbe, Ana Brnabiq ka thënë se Serbia dhe Kosova janë larg një zgjidhje gjithëpërfshirëse paqeje, pavarësisht gatishmërisë për të diskutuar shkëmbimin eventual të territoreve me qëllim të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Në një intervistë për Financial Times, Brnabiq ka thënë se edhe nëse ka dakordim për shkëmbim të territoreve, kjo gjë nuk do të jetë e mjaftueshme për arritjen e marrëveshjes.

“Kutia e Pandorës është hapur pikërisht 10 vjet më parë, kur shtete e njohën pavarësinë e Kosovës. Ajo që ne jemi duke u përpjekur të bëjmë është të mbyllim Kutin e Pandorës. Nuk mund të thuhet se 10 vjet më parë ishin të gatshëm për të ndryshuar kufirin dhe se sot nuk mund të flasim për atë ndryshim të kufijve”, ka thënë ajo.

Por, sipas saj kjo është vetëm një pjesë e zgjidhjes së mundshme përfundimtare.

“Zgjidhja përfundimtare në qoftes se arrihet, do të jetë e plotë. Ajo do të duhet të përfshijë të drejtat e njeriut dhe pakicave, bashkëpunim ekonomik, bashkëpunim afatgjatë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, mësimin e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore dhe manastireve”, ka shtuar Brnabiq.

Brnabiq tha se personalisht i pëlqen që të arrihet një marrëveshje sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Ne shpesh themi se jemi të mbërthyer tani në një pozicion disi skizofrenik, që është në mes të politikës së shekullit 21 dhe 19”, tha Brnabiq, duke iu referuar në shpërthimin e herëpashershëm të tensioneve etnike.

“Por vërtet mendoj se nuk jemi afër një marrëveshje. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës e kanë gabim nëse mendojnë se dialogu me Beogaradin do të çojë në njohjen formale të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Nëse ata mendojnë se po Serbia do a njohë pavarësinë, është e qartë se kjo nuk do të ndodhë. Ata kanë nevojë që të lëvizin nga pozitat e tyre të rehatshme dhe të takohemi në gjysmë të rrugës ku ne po i presim. Le të bëjmë një kompromis, çfarëdo që të kërkojë ai kompromis”, shtoi ajo, transmeton Indeksonline.

Duke iu referuar bisedimeve për pranimin e Serbisë në BE, ajo tha se do dëshironte që të bashkoheshin në BE më 2025, por që ky qëllim është shumë ambicioz./Indeksonline/