Komunikatat e tjera të UÇK-së: Vrasja e Adrian Krasniqit, atentatet ndaj dhjetë shqiptarëve dhe gjashtë policëve serbë
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga muaji mars i vitit 1997 deri në muajin nëntor të po këtij viti, kishte urdhëruar atentate ndaj dhjetë shqiptarëve.
Viktimat Jusuf Halitaj, Fehmi Halitaj, Mehmet Gashi, Hetem Dobruna, Palush Syla, Idriz Nishori, Ali Qellopekut, Ramiz Lekut dhe dy të ekzekutuar tjerë në zonën e Drenicës por që nuk kishte treguar emrat e tyre, ishin konsideruar nga UÇK-ja si bashkëpunëtor të regjimit serb.
Përvec shqiptarëve UÇK-ja kishte urdhëruar ekzekutimin edhe të gjashtë policëve serbë dhe kishte djegur stacione ku ishin të pozicionuar policia e tyre, në disa rajone të Kosovës.
Të gjitha këto i kishte dokumentuar nëpërmes komunikatave të lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm, të cilat janë përmbledhur në pjesën e tretë të serisë së shkrimeve të publikuara nga Gazeta Insajderi.
Gjatë kësaj periudhe në një përleshje me armë zjarri mes pjesëtarëve të UÇK-së dhe policëve serb ishte vrarë pjesëtari i saj, Adrian Krasniqi. Për vrasjen e tij me 16 tetor, njoftohej në komunikatë me numër 37.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së gjatë kësaj kohe përveç që kishte kërkuar nga politikanët e Kosovës që të ishin të kujdesshëm me gjuhën e përdorur ndaj tyre, po ashtu u bënin thirrje edhe mërgimtarëve që të kontribuonin në fondin për Kosovën.
Në komunikatën numër 32, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte njoftuar se përgjatë datave 21 dhe 25 mars 1997, ishin zhvilluar dy aksione njëri për vrasjen e një polici serb dhe tjetri për vrasjen e tre shqiptarëve që sipas komunikatës konsideroheshin kolaboracionistëve të okupatorëve.
“Aksioni i parë u krye në Podujevë kundër policit serb Branisllav Milovanoviq, i njehur për veprimtarinë e tij antishqiptare”.
“Aksioni i dytë u krye kundër kolaboracionistëve të okupatorëve, Jusuf Halitaj, Fehmi Halitaj dhe Mehmet Gashi të cilët edhe përkundër vërejtjeve që iu është tërhequr për ta ndërprerë”.
Në këtë komunikatë thuhej se veprimtaria kundër okupatorëve dhe veglave të tyre do të vazhdojë deri në realizimin e aspiratave të popullit shqiptar.
“Ndërsa Propagandën e disa subjekteve të caktuara shqiptare, për gjoja mosekzistimin e një force siç është UÇK-ja, më së miri do ta demantojnë veprimet tona konkrete. Ne bëjmë punën tonë, UÇK do të veprojë deri sa të çlirohen trojet shqiptare”, thuhej më tej në komunikatë.
Aksionet e muajit maj Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së i kishte përmbledhur në komunikatën numër 33.
Në të njoftohej për dy atentate, gjatë së cilave ishte vrarë Hetem Dobruna dhe dy policë serbë Miomir Kiçoviq dhe Radisav Planiq.
“Atentati i parë u krye në mbrëmjen e 5 majit në fshatin Llozicë të Klinës ku u vra Hetem Dobruna, i njohur në këtë anë për bashkëpunimin e tij të hapët me organet pushuese serbe”.
“Sulmi i dytë i armatosur u krye me 16 maj në kafenenë “Llovac” në Skenderaj kundër policëve kriminelë serbë Miomir Kiçoviq dhe Radisav Planiq”, thuhet në komunikatën 33.
Tri aksione ishin kryer gjatë verës së vitit 1997, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nga njësitet guerile kundër okupatorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Aksionet që ishin kryer gjatë muajit gusht me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, ishin përmbledhur në komunikatën numër 35, aty flitej për atentatet kundër Miqa Joviqt, Millomir Todiq, Zoran Boshkoviq, dhe shqiptarëve Palush Syla, Idriz Nishori, Ali Qellopekut, Ramiz Lekut.
“Akcioni i parë u krye me 3 gusht në rrugën Podujevë – Kërpimeh në vendin “Bunari i Bradashit” kundër oficerit të UDB-së Miqa Joviq. Aksioni i dytë u krye më 4 gusht afër Runikut, në Komunën e Skënderajt, kundër zv.komandantit të postës së policisë në Runik, Millomir Todiq, kolegut të tij Zoran Boshkoviq dhe bashkëudhëtaarit të tyre Palush Syla”.
“Akcioni i tretë u krye në Komoran kundër kolaboracionistit Idriz Nishori, i cili njihet për veprimtarinë e tij antikombëtare”, thuhej në komunikatën 35.
Komunikata vazhdonte me informatat tjera se për shkak të veprimtarisë së tyre antikombëtare, më parë njësitet guerile kishin bërë atentat edhe kundër Ali Qellopekut nga Tersteniku dhe Ramiz Lekut nga Baica e Gllogovcit.
Komunikata 36 tregon aksionet e kryera gjatë muajit shtator ndaj stacioneve të policisë serbe në disa zona.
“Në një sulm të rrufeshëm u goditën stacionet e policisë pushtuese në Gllogovc, Kijevë, Runik, Irzniq, Ponoshec, Suharekë, Ratkovc, Kliçinë, Ozdrim, Çallapek, Lluzhan dhe Kërpimeh”.
Aty njoftohej se gjatë sulmeve nga policia serbe pati të vrarë, të plagosur dhe dëme të mëdha materiale, “ndërsa pjesëtarët e njësiteve të armatosura të UÇK-së u kthyen në bazë pa humbje”.
Ndërkohë që njoftohej edhe se në zonën e Drenicës, “u ekzekutuan edhe dy kolaboracionistë të pushtuesit” por pa u specifikuar emra.
Ndërsa politikaneve të asaj kohe u bëhej thirre të mos hedhin dyshime ndaj UÇK-së dhe të kenë kujdes me gjuhë e përdorur.
“Disa politikanëve të Kosovës, të cilët po vjellin vrer dhe hedhim dyshime të llojeve të ndryshme mbi UÇK-në, ua bëjmë me dije se dëshirojmë që të jetë hera e fundit që ata përdorinë një fjalor të tillë fyes denigrues për bijtë dhe bijat më të mirë të popullit tonë”.
Në komunikatën numër 37, UÇK-ja njoftonte për vrasjen e luftëtarit Adrian Krasniqi gjatë një shkëmbim zjarri mes pjesëtarëve të UÇK-së dhe policisë serbe, gjatë mesnatës së 15-16 tetorit.
“Familjes së Ardianit i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta dhe i zotohemi se do të luftojmë edhe më me forcë për çlirimin e vendit dhe se për Ardianin dhe shokët tjerë të rënë do të hakmerremi shumëfishë”.
Në të njëjtën komunikatë njoftohej edhe për sulme zingjirore kundër objekteve të policisë serbe, në disa zona.
“Sulmet u kryen në fshatin Gërlic të Ferizajt, Balincë të Klinës, Bballoç të Deçanit dhe Qellopek e Kliçinë së Pejës”, thuhej në komunikatën 37.
Me vendim të posaçëm të Shtabit Qendror të UÇK-së, me 5 nëntor në nën zonën e Llapit, ishte ndërmarr një sulm i armatosur kundër strukturave politike pushtuesve serb në objektin e komunës së Podujevës.
“Cak i sulmit ishte ndërtesa e Kuvendit Komunal të Podujevës. Sulmi u krye rreth orës 20 me ç’rast armikut iu shkaktuan humbje dhe armikut iu shkaktuan humbje dhe dëme të konsiderueshme materiale”, thuhej në komunikatën numër 38.
Shtabi i përgjithshëm i UCK-së po ashtu në këtë komunikatë u bënte thirrje mërgimtarëve të ndihmojnë materialisht në fondin për Kosovën.
“Shqiptarëve kudo që janë, iu bëjmë thirrje që të mbështesin UÇK-në me të gjitha mjetet mundshme, e në veçanti i thërrasim shqiptarët të cilët janë në mërgim, që të ndihmojnë materialisht fondin i cili i dedikohet çlirimit të Kosovës”, shkruante në komunikatën 38.