Prokuroria kërkon arrestimin e të dyshuarit për keqpërdorim seksual ndaj 11 vjeçares në Shtime
Një ditë pasi Indeksonline raportoi për rrëmbimin e 11 vjeçares nga Shtimja, e cila u dërgua në një mal dhe tentuan ta përdhunojnë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka autorizuar Policinë e Kosovës që të arrestojë të dyshuarin, I.S., 19-vjeç.
Prokuroria me të marr informatën se i dyshuari është liruar po atë natë nga policia pasi ka dhënë deklaratë, ka urdhëruar hetuesit policor që të ndërmarrin masa për lokalizimin dhe arrestimin e menjëhershëm të të dyshuarit.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, Vjosa Baftiu, zyrtare për Informim në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka autorizuar hetuesit e sektorit rajonal policor të Ferizajt, që të arrestojnë të dyshuarin I.S për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare’”, ka thënë Baftiu.
Kujtojmë se dje Indeksonline publikoi rrëfimin e 11 vjeçares M (emër i njohur për redaksinë) nga Shtimja, e cila pasditen e 2 nëntorit u rrëmbye nga I.S 19 vjeçar dhe u dërgua në mal.
Aty i dyshuari tentoi të përdhunoj të miturën e komunitetit ashkali, por nuk arriti të bënte një gjë të tillë.
Familja e të miturës ka tash e sa ditë që nuk dalin nga shtëpia, pasi kryefamiljari nuk guxon t’i lë fëmijët të dalin jashtë nga frika që i ka kapluar ata./Indeksonline/