OVL-UÇK: Historisë sonë iu shtua një datë e rëndësishme, jemi krenar!
Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka mirëpritur transformimin e FSK-së në Ushtri.
Në një komunikatë, OVL-UÇK ka bërë të ditur se ndjehen krenar, pasi pas shumë përpjekjeve për liri, sot u realizua një ëndërr, transmeton Indeksonline.
Më poshtë njoftimi i plotë:
Pas shumë përpjekjeve të popullit tonë në luftërat për liri, si rezultat i gjakut të derdhur të mijëra dëshmorëve të kombit, gjymtyrëve të invalidëve dhe mundit të veteranëve të brezit të UÇK-së të prirë nga Komandanti legjendar Adem Jashari, historisë së Kosovës sot i’u shtua një datë e rëndësishme, ajo e transformimit të FSK-së, përkatësisht e Ushtrisë së Kosovës.
Me këtë rast, ndjehemi krenar dhe ju urojmë këtë ditë ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar.
Urime! /Indeksonline/