Të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit nesër para gjyqit
Tre të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit, nesër pritet që përsëri të dalin para Gjykatës në Prishtinë, ku do të shqyrtohet edhe një herë kërkesa për masën e paraburgimit.
Gjykata Themelore në Prishtinë muajin e kaluar kishte caktuar 30 ditë paraburgim ndaj tyre mirëpo Gjykata e Apelit duke vepruar sipas ankesave të mbrojtësve ka kërkuar që Themelorja ta rishqyrtojë edhe një herë kërkesën e Prokurorisë.
Pas seancës së muajit të kaluar, prokurori i Prokurorisë Speciale Sylë Hoxha pati deklaruar se Prokuroria ka prova të mjaftueshme për t’u caktuar masa e paraburgimit.
“Kam bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve. Duke e pasur parasysh se ka prova të mjaftueshme për dyshim të bazuar e kam kërku masën e paraburgimit”, kishte deklaruar Hoxha.
Seanca e nëntorit ishte e mbyllur për publikun.
Monitoruesit e BIRN nuk ishin lejuar ta monitoronin seancën dëgjimore për shqyrtimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit.
Muajin e kaluar Policia e Kosovës në një aksion në veri të Mitrovicës kishte arrestuar tre persona nën dyshimet se janë të përfshirë në vrasjen e ish politikanit serb në Kosovë, vrasje e cila kishte ndodhur në janar të këtij viti.
Për vrasjen e Oliver Ivanoviq sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë është i dyshuar edhe nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, i cili është në kërkim.