Bahtiri paralajmëron peticion të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka paralajmëruar peticion me qytetarët për bashkimin e Mitrovicës.
Nën udhëheqjen e Bahtirit, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar disa pika të rendit të ditës me rëndësi për qytetarët.
Fillimisht, drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar bordin lidhur me inaksimin e të hyrave vetanake duke thënë se përgjatë këtyre 11 muajve inaksimi i këtyre të hyrave është afro 90,52 %, dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi shënuar rritje prej 10,50 % , me qëllim që deri në fund të këtij viti inaksimi i të hyrave të bëhet ashtu siç është planifikuar nga drejtoritë komunale.
Po ashtu drejtori Gashi në mbledhjen e sotme të bordit diskutoi edhe për pranimin e lëndëve në intranet i cili kërkoi nga drejtorët e drejtorive përkatëse që të kenë vëmendje të shtuar në mënyrë që në fund të këtij viti komuna jonë të ketë performancë më të mirë. Gjithashtu ai kërkoi edhe kompletimin e lëndëve të drejtorive komunale për certifikim.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, gjatë kësaj mbledhje njoftoi ekzekutivin se vendimi i marrë unanimisht nga Kuvendi Komunal me datën 30.11.2018 me të cilin i është propozuar Qeverisë së Kosovës inicimi i procedurës për ndryshim të ligjit Nr./ L-041 për kufijtë administrativ të komunave me qëllim të bashkimit të Mitrovicës ku Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka lejuar që konkluzioni i miratuar të delegohet tek institucionet qendrore duke e konsideruar si jo legjitime. Prandaj kryetari Bahtiri me pëlqimin e drejtorëve komunal do të iniciojnë edhe një peticion i cili do të përmbaj me qindra e mijëra nënshkrime të qytetarëve nga e gjitha Kosova me qëllimin e vetëm që qyteti i Mitrovicës të jetë i bashkuar.
”Nuk do të ketë organ që do të ndal iniciativën dhe vullnetin e mirë të qytetarëve për bashkim të qytetit dhe që kjo kërkesë të delegohet tek organet kompetente të thirrura për miratimin e ligjeve të Kosovës. Andaj nëse kjo kërkesë pengohet jo ligjërisht atëherë do të ju drejtohemi qytetarëve për realizimin e një peticioni i cili do të ketë me qindra e mijëra nënshkrime”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.