75 Mall Live Search
14:29 / E Martë, 18 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Rrëfimi emocional i Arbër Zenelit, tregon rrugëtimin e Kosovës që prej pranimit në FIFA

Arbër Zeneli ka vendosur në fokus arritjet e Kosovës duke thënë, ”Gjithçka filloi nga fundi”. Dhe tani, Përfaqësuesja është këtu duke e festuar një vit pa humbje.

Kanë kaluar më pak se tri vite që prej kur shteti i Ballkanit u bë anëtare e 210-të e FIFA-s, dhe së fundmi triumfoi në Ligën e Kombeve, duke e fituar Grupin 3 në Ligën D.

”Ka qenë një vit fantastik për ne si një shtet i ri. Ne kurrë s’kemi menduar se do të shkojmë në një vit pa humbje me ndeshjet që i kemi zhvilluar”, tha Zeneli, i cili po shkëlqen në Holandë te Heerenveen, për FIFA.com.

”Liga e Kombeve, natyrisht, ka qenë një përmbledhje. Ne donim ta fitonim grupin dhe ndeshja e fundit ishte me një rezultat fantastik për ne si shtet”.

Pasi shënoi tre-golësh para tifozëve vendas në ”Fadil Vokrri”, ai dëshmoi se pse është njëri prej lojtarëve më premtues në Eredivisie, transmeton IndeksOnline.

Vetëm Steven Berghuis ka më shumë asistime se sa anësori kosovar, dhe nuk është befasi që Cristiano Ronaldo dhe Kaka janë dy idolët e tij.

Progresi i Zenelit është pasqyruar edhe te Kosova, vend i cili është aktualisht në vendin e 131-të në renditjen tabelare të FIFA-s, duke u ngritur për 47 pozita që prej janarit.

I lindur në Suedi, dhe më i vjetri nga tre vëllezërit, futboll ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm te familja e Zenelit. Ai u zhvillua si futbollist në grupmoshat e reja të Suedisë, por më pas zgjodhi vendlindjen e prindërve të tij.

”Unë nuk e dija me të vërtetë se çfarë doja aso kohe, dhe pas pak, ndjeva se ky ishte vendimi i duhur”, tha golashënuesi më i mirë aktualisht i Kosovës, me gjashtë gola. ”E ndjeva në zemrën time dhe unë vendosa kështu. Asgjë deri më tani nuk më ka bërë të mendoj se kam gabuar”.

I mbushur me krenari kur vesh fanellën kaltër e verdhë, derisa debutimi i tij ndodhi në humbjen, 6-0 nga Kroacia, ai thotë se ky ishte ”një leksion, për të cilin Kosova kishte nevojë”.

Tri vitet e para të Përfaqësueses kosovare:

Kosova u bë anëtare e FIFA-s me të drejta të plota

”Kur ne u pranuam në FIFA, unë nuk isha një refugjat, por prindërit e mi ishin dhe ne u ndjemë të lumtur, por edhe të pikëlluar sepse kemi vuajtur. Ju vetëm doni të luani për të gjithë këta njerëz, që kanë përjetuar gjithçka”.

Ndeshja e parë zyrtare, kundër Ishujve Faroe

”Kur ju dëgjoni himnin kombëtar për herë të parë dhe të gjithë qëndrojnë së bashku dhe e dëgjojnë atë, është një moment i madh për ne”.

Ndeshja e parë eliminatore e Kampionatit Botëror kundër Finlandës

”Ta kishim shansin të luanim në eliminatoret e Botërorit – padyshim se ne ishim në një grup të vështirë – ishte përvojë e mrekullueshme, për të na parë ne duke u përballur me Kombëtare të mira”.

Fitorja e parë kompetetive kundër Ishujve Faroe

”Ishte një moment special për ne, pasi që presidenti i FFK-s, Fadil Vokrri, vdiq një muaj më parë. Ai ishte njeriu që e bëri këtë realitet. Ne gjithnjë do të jemi falënderues ndaj tij”.

Triumfi në grupin përkatës në Ligën e Kombeve

”Ishte një ‘luftë’ e çmendur. Azerbajxhani priste që të kalonte dhe të fitonte për ta zënë vendin e parë, por ne hymë në ndeshje me një plan dhe bëmë një punë perfekte”.

Tani, e gjithë vëmendja është te viti 2019 duke u testuar kundër Kombëtareve më të mira për rrugën në ”EURO 2020”, me Anglinë dhe Republikën e Çekisë, në mesin e rivalëve.

”Ne e dimë se kemi edhe ‘play-off’ kundër Maqedonisë. Por, nëse mundemi, pse mos ta marrim biletën më herët!”, insistoi Zeneli. ”Nuk kemi asgjë të humbim. Nëse nuk funksionon, atëherë ne kemi dy ndeshje për t’i rregulluar gjërat. Do të jetë një vit tejet interesant”./IndeksOnline/