Bahtiri s’heq dorë: Nga e hëna fillojmë me peticion për bashkimin e Mitrovicës
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, është duke mbajtur një tryezë të përbashkët me qytetarë me ç’rast do të iniciohen procedurat e peticionit për bashkimin e qytetit.
Para qytetarëve, Bahtiri ka bërë thirrje që peticioni për bashkimin e Mitrovicës të përkrahet.
“Sot ju kam ftuar që mbi bazën e demokracisë dhe funksionalizimit të vendit të bëjmë një peticion për të shfuqizuar vendimin e marrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të mundësojmë bashkimin e Mitrovicës”.

Në ndërkohë, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Jeton Ujkani ka bërë po ashtu thirrje që ky peticion të gjejë mbështetje.
“Ju bëj thirrje të gjithëve që të ruhemi në deklarata sepse e dimë shumë mirë qëndrimin e institucioneve tona që po luftojnë për të qenë e gjithë Kosova një territor. Kërkesat tonë, sikur kjo përmes Kuvendit dhe peticioni do të shkojnë në institucionet tona, prandaj ju bëjmë thirrje për përkrahje”.
Edhe përfaqësuesit e fshatrave të Mitrovicës prezent në këtë tryezë u deklaruan pro përkrahjes së peticionit për bashkimin e qytetit.
Peticionin për bashkimin e Mitrovicës do të nisë së nënshkruari nga dita e hënë.