75 Mall Live Search
18:28 / E Hënë, 24 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

‘Babadimri kosovar’ gëzon 500 familje në prag të festave të fundvitit

Edhe këtë vit qindra qytetarë u solidarizuan me nismën ‘Vrapo Babadimër’ që për tri vite me radhë tashmë në prag të festave të fundvitit iu sjellë buzëqeshje familjeve në nevojë.

Ky event që në Kosovë organizohet nga Jusuf Islami, këtë vit ka shënuar edicionin më të suksesshëm të tij.

Nga të hollat që janë mbledhur nga shitja e kostumeve, gjithësej 500 familje do të ndihmohen, shkruan Indeksonline.

Madje, sot ka nisur edhe shpërndarja e pakove me gjëra ushqimore nga organizatori Islami, bashkë me ndihmësit e tij.

Islami për Indeksonline ka treguar shpërdarja e pakove do të bëhet në shtatë qytete të vendit.

“Ne sot kemi filluar shpërndarjen e pakove në Prishtinë dhe Mitrovicë, ndërsa të mërkurën do të vazhdojmë në Pejë, Gjakovë, e të ejtën në Gjilan dhe Ferizaj. Jam shumë i lumtur që qytetarët po bëhen çdo vit e më shumë pjesë e kësaj nisme, ku po synojmë që në vitin e ardhshëm të ndihmojmë 1000 familje”, u shpreh ai.

Ndryshe, në edicionin e parë janë ndihmuar 60 familje, në të dytin 350 dhe këtë vit 500. Një sukses ky tejet i madh dhe në të njëjtën kohë solidarizim që duhet përshëndetur nga qytetarët tanë.

Kujtojmë që Kosova hyn në mesin e 60 shteteve në botë, që çdo fundvit organizojnë këtë ngjarje me karakter human./Indeksonline/