Ish-trajneri i Manchesterit tregon kush është favorit për të fituar Premierligën
Louis van Gaal është prej kohësh pa ekip, por i ndjek me vëmendje kampionatet kryesore në Evropë, edhe për faktin se herët a vonë ndonjë klub do i ofrojë stolin.
Trajneri holandez mendon se kampionati anglez ka një favorit të madh dhe për të ai është Liverpool. Deklarata e tij vjen pak ditë pas fitores së City-t ndaj The Reds, ndaj nuk mund të konsiderohet një deklaratë oportuniste.
Ish-trajneri i Ajax, Barcelona, United e Bayern e sheh Liverpool-in superior në aspektin mbrojtës, diçka që sipas tij do i kushtojë shtrenjtë City-t.
“Po të duhej të vendosja bast, do vija për Liverpool, sepse ka një mbrojtje më të fortë se City. Në aspektin e cilësisë Liverpool nuk është favorit, sepse lojtarët më të talentuar i ka City.
“Megjithatë, Guardiola i stërvit ekipet e tij vetëm për fazën sulmuese dhe kjo është pika e tij e dobët. Kur City duhet të mbrohet, mbrojtësit janë të tmerrshëm”, tha Van Gaal në një intervistë për The Mirror.
Van Gaal është admirues i Klopp: “E ka kthyer ekipin e tij në një makinë lufte, në aspekt sulmues e mbrojtës, edhe kur nuk e kanë topin. Kjo i mungon City-t, që ka ide fantastike futbolli, por nuk ka shpirtin e duhur. Më pëlqen t’i shoh Qytetarët, por Klopp e bën Liverpool-in të luajë në mënyrë fantastike”.