Pas problemeve me pagesat, skuadrës së Superligës i largohet trajneri
Nuk ka qetësi tek skuadra e Ferizajit. Pavarësisht premtimeve, futbollistët dhe stafi nuk janë paguar dhe kjo po rezulton edhe në merkaton e klubit.
Deri më tani skuadra e Ferizajit ka qenë në ‘gjumë’ të thellë dhe nuk kanë lëvizur në transferime gjatë merkatos së janarit.
Tek skuadra e Ferizajit ka pasur premtime nga donatorët e klubit që obligimet ndaj futbollistëve do të shlyhen, por kjo nuk ka ndodhur dhe tashmë kanë filluar largimet nga ky klub.
I pari që ka vendosur të largohet është ‘kreu’ i ekipit, trajneri Afrim Toverlani.Toverlani në një prononcim për ‘GazetaBlic‘ ka konfirmuar edhe zyrtarisht largimin e tij nga skuadra e Ferizajit.
“Deri sot nuk ka pasur asnjë ndryshim. Kam biseduar me drejtorin dhe sipas të gjitha gjasave nuk ka më asgjë në Ferizaj. Donatorët që i kanë premtu ekipit verës – tani nuk po iu përgjigjen obligimeve që ju kanë pas. Klubi ka borxhe ndaj lojtarëve, gjithashtu ne kemi pasur në plan të transferojmë 4-5 lojtarë në merkaton e janarit, pasi jemi akoma në garë për mbijetesë dhe Kupë, mirëpo premtimet nuk i kanë realizuar kështu që çdokush rrugën e vet”, tha Toverlani.
Vlen të theksohet se Ferizaj e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në vendin e 11’të me 15 pikë të grumbulluara.