Partitë qeverisëse nuk e mirëpresin idenë e LDK-së për zgjedhje
Memli Krasniqi, shef i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, që është partia më e madhe brenda koalicionit qeverisës të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës e ka legjitimitetin e plotë në mandatin e saj që të zbatojë programin qeverisës, sipas marrëveshjes së koalicionit.
Sipas Krasniqit, theksuar se konstelacioni i tanishëm i Qeverisë nuk mund të ndryshohet, siç ka thënë ai, “sa herë që LDK-së dhe kryetarit të saj t’i bie ndërmend për të kërkuar hise në qeveri”.
“Ne i kemi ftuar LDK-në dhe Vetëvendosjen që të bëhen pjesë të procesit të dialogut, për arsye se dialogu i tejkalon përgjegjësitë e vetëm Qeverisë ose të këtij koalicioni, sepse kemi të bëjmë me një temë të rëndësisë nacionale, e cila nëse arrihet një marrëveshje obliguese ndërkombëtare, do të definojë të ardhmen e Republikës së Kosovës. Për këtë arsye ka hapësirë dhe është realisht e nevojshme që edhe opozita të përfshihet në këtë proces. Por, meqenëse ata e kanë refuzuar që të bëhen pjesë e dialogut, duke mos i dhënë mbështetje këtij procesi, atëherë nuk ka asnjë arsye që të diskutohet për kërkesën e tyre që të bëhen pjesë e Qeverisë”, theksoi Krasniqi.
Ndërkaq, Bilall Sherifi, shef i Grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë që partia e tij nuk ka një përgjigje përfundimtare për idenë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, sipas tij, në parim, çfarëdo ideje që do të mund të parashtrohej për tu arritur marrëveshje ndërmjet partive të koalicionit qeverisës me partitë opozitare, do të shqyrtohej nga partia e tij.
“Deri më tash, qëndrimi i tyre (LDK-së) ka qenë zgjedhjet para bisedimeve. Tash po dëgjoj që janë dakord që të përfshihen në proces të dialogut, por me kusht që të jenë pjesë e qeverisë. Pra, nëse bëhet fjalë për një kërkesë të tillë, për një ide të tillë, ata duhet ta shtrojën atë tek tre kryetarët e shumicës, praktikisht të PAN-it (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate) dhe të Aleancës Kosova e Re. Duhet të flasin, t’ua shtrojnë idenë e pastaj secila parti, në kryesitë e tyre, do të merr qëndrim rreth kësaj. Por, tash, përveç asaj që do ta shqyrtonim me seriozitetin më të madh, nuk kam se çka të them më shumë”, theksoi Sherifi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është e mirëseardhur që të marrë përgjegjësitë për vendin. Por, siç tha ai, kërkesa e tij për LDK-në dhe për Lëvizjen Vetëvendosje, nuk është që të vijnë në dialog që ta harxhojnë, konsumojnë ose ndihmojnë Qeverinë.
“Qeveria i ka kryer punët e veta. Të gjitha punët që i ka pasur deri më sot, është duke i kryer. Kërkesa është që t’i ndihmojë pozicionet e Kosovës, sepse na duhet edhe pas zgjedhjeve tjera dhe i vyen edhe LDK-së , Vetëvendosjes apo kushdo që është nesër në pushtet dhe të gjitha qeverive që vijnë më vonë. Pra, ky është qëllimi që ua bëjmë këtë ftesë. Nuk e kam me ndonjë hile për ta. Nëse ata kanë ndonjë kërkesë pastaj, thonë ‘po, do të vinim ta ndihmonim dialogun, por a mundemi…’ , nuk e di, ndonjë arsye e caktuar. Pse të mos e shqyrtojmë? Janë interesa nacionale”, theksoi Haradinaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, deri më tash kanë kundërshtuar në Kuvendin e Kosovës rezolutën për dialogun me Serbinë, formimin e Ekipit negociator, si dhe projektligjin për dialogun me Serbinë.