QKUK sqaron videon e të moshuarit: Pacienti po i priste të afërmit ta marrin
Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, ka sqaruar videon e mbrëmshme që qarkulloi në media, ku shihej një i moshuar në gjendje jo të mirë shëndetësore në ambientet e QKUK-së.
Përmes një komunikate për media, QKUK ka bërë të ditur se mjekët kujdestarë në Klinikën Emergjente me datë 16.01.2019, në bazë të raporteve mjekësore dëshmojnë për trajtimin e pacientit me inicialet A.H., i cili është pranuar, diagnostikuar dhe në të njëjtën kohë janë konsultuar shërbimet subspecialistike, transmeton Indeksonline.
Sipas njoftimit, pacienti fillimisht është sjellë me autoambulancë nga Mitrovica, për në Klinikën Emergjente në Prishtinë.
“Pacienti A.H. është kontrolluar edhe në Klinikën Emergjente disa herë brenda kohës sa ka qëndruar në Klinikën Emergjente dhe të njëjtit i janë dhënë edhe këshilla të mëtutjeshme mjekësore. Pacienti ka qëndruar në Klinikën Emergjente edhe për një kohë pas trajtimit për shkak se është pritur që të vijë ndonjë i afërm ta marrë. Kjo nuk është hera e parë që pacienti A.H. merr ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje, ky institucion bën të ditur se në muajin tetor të vitit 2018, i njëjti është shtrirë për disa ditë edhe në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK ku ka marrë të gjithë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Të gjithë këto dëshmi të mjekëve i vërtetojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë. /Indeksonline/