Bunjaku po rikthehet
Albert Bunjaku pritet që t’i rikthehet punës.
Trajneri i cili e ka drejtuar Kosovën në eliminatoret e para pas pranimit në UEFA dhe FIFA në një prononcim për “Zëri” ka thënë se së shpejti do t’i kthehet punës.
“Momentalisht jam në bisedime për një projekt të ri. Besoj se do të ketë risi. Për mua është shumë me rëndësi që të jetë një projekt në të cilin unë besoj dhe ku ka mundësi që të zhvillohem”, ka deklaruar Albert Bunjaku.
Kujtojmë se për shërbimet e “timonierit” kosovar muaj më parë ka qenë e interesuar edhe skuadra nga Superliga e Turqisë, Rizespor, ekip në të cilin luajnë edhe futbollistët e Përfaqësueses kosovare, portieri Samir Ujkani dhe sulmuesi Vedat Muriqi. “Ndoshta mjafton që ta them deklaratën e drejtorit sportiv të Rizesporit që nga tetë trajnerë kanë mbetur vetëm dy, unë dhe Okan Burak. Zgjedhja e fundit për klubin ishte Burak”, theksoi Albert Bunjaku.
Ky trajner e ka drejtuar Kosovën edhe në kohën sa Përfaqësuesja e Kosovës nuk kishte të drejtë që të merrte pjesë në garat e organizuara nga UEFA dhe FIFA.
Kosova tashmë drejtohet nga trajneri zviceran Bernard Challandes.