75 Mall Live Search
14:22 / E Premte, 18 Janar 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: S’pranojmë ndërrim të kufijve por vetëm njohje të tyre

“S’ka me kush jep ndonjë copë të Kosovë askujt. E kam thënë këtë edhe në Reçak ku u bë kthesa.I vetmi popull në botë që kufizohet me toka të veta janë shqiptarët si në Kosovë dhe Shqipëri. Si ka logjikë pra me pyet dikush çka po ju duhet Leposaviqi meqë nuk ka shqiptarë. Ne nuk pranojmë ndërrim të kufijve, por vetëm njohje me këta kufijë”, kështu është zotuar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë një takimi në Mitrovicë, ku u bë edhe aderimi i disa anëtarëve në partinë e tij, AAK.

Haradinaj bëri thirrje që Mitrovica të mbështesë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, meqë është në interes nacional qeverisja e kësaj partie në këtë komunë.

Ndërsa Jeton Ujkani koordinator i AAK-së në Mitrovicë, tha se mijëra familje në këtë qytet jetojnë si refugjatë dhe me ankthin e ndarjes së kësaj komune.

”Zhvillimet e fundit si gjithmonë prekin drejtpërdrejtë qytetin e Mitrovicës. Me të drejtë qytetarët janë të shqetësuar me disa zëra të akterëve politikë të cilët kanë folur për ndarje dhe kompromise të dhimbshme…mijëra familje ende jetojnë si refugjatë në qytetin e tyre, ndërsa pas çdo marrëveshje qytetarët tanë është dashur t’i përjetojnë më së rëndi pasojat e atyre kompromiseve”, tha Ujkani.

Minatori Esat Meha, ka vlerësuar punën e kryeministrit Haradinaj, derisa kërkoi nga ai që të angazhohet edhe në gjetjen e zgjidhjes për punëtorët e Trepçës.

“Haradinaj është duke dhënë një kontribut të madh për shqiptarët. Kërkoj nga kryeministri që të jep kontributin edhe në lidhje me draft statusin e Trepçës në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të përfundojë çështja e Trepçës. Poashtu kërkojmë të kontaktojmë edhe me bordin Trepçës.. i cili ka marrë veprime ti padisë disa minatorë për shkak të grevës. Andaj lus kryeministrin të merr hapa në këtë drejtim”, tha Meha.

Ndërsa anëtarja e re e AAK-së në Mitrovicë Blerona Doroci, tha se puna e mirë e kryeministrit Haradinaj është ajo që e ka shtyrë të bëhet anëtare e kësaj partie. Tha se sfidë kryesore në Mitrovicë është luftimi i korrupsionit.

Ndryshe, në Mitrovicë u bë aderimi i dhjetëra qytetarëve në AAK, para të cilëve  Haradinaj shpalosi edhe disa nga rezultatet dhe synimet për konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të vendit