75 Mall Live Search
18:33 / E Martë, 22 Janar 2019 / indeksADMonline

Dorëhiqet Wess Mitchell, zyrtari i lartë amerikan, përgjegjës edhe për Kosovën

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.

Mitchell,diplomati kryesor në çështjet evropiane në Departamentin e Shtetit do ta lëshojë detyrën muajin e ardhshëm, duke krijuar një boshllëk të rëndësishëm në një kohë kur liderët evropianë po vënë në pikëpyetje angazhimin e presidentit Trump për aleancat historike.

Mitchell mori detyrën në tetor 2017, pasi 12 vjet kishte punuar në një Institut të fokusuar në çështjet e Evropës Qendrore. Ai u emërua nga ish-sekretari e Shtetit, Rex Tillerson.

Mitchell, 41 vjeç përmendi arsyet personale dhe profesionale në një letër dorëheqje të 4 janarit, që ai i paraqiti Sekretarit të Shtetit amerikan, Mike Pompeo, transmeton Indeksonline.

Dita e tij e fundit si ndihmëssekretar i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike është 15 shkurt.

“Përfundoj vitin e dytë në detyrë dhe mendoj se kam përfunduar atë që kisha vendosur të bëj në marrjen e këtij pozicioni”, shkroi ai duke përmendur zhvillimin e një strategjie të Evropës duke shtuar se beson se ka ardhur koha që të kaloj më shumë kohë me familjen e tij të re, të cilët kanë kaluar shumë ditë pa të, gjatë muajve të fundit.

Tutje ai tha se dorëheqja e tij nuk është protestë e politikave të administratës apo në drejtim të politikes së jashtme, duke vlerësuar udhëheqjen dhe vizionin e Pompeo-s.

“Jam plotësisht mbështetës ndaj tij, për punën që po bën, për ekipin udhëheqës këtu. Unë ndihem sikur kam bërë atë që kamë ardhur për të  bërë. Fëmijët e mi kanë një kërkesë më të madhe për kohën time, sesa publiku”, ka shtuar ai.

 Mitchell kësisoj i bashkohet shumë zyrtarëve të tjerë të lartë që lanë administratën Trump në fillim të vitit të tretë udhëheqës./Indeksonline/