75 Mall Live Search
20:58 / E Shtunë, 26 Janar 2019 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim për njërin prej grabitësve të bankës “TEB” në Prishtinë

Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë gjatë ditës së djeshme ka arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi që mund të jetë i përfshirë në rastin e grabitjes të bankës TEB në lagjen ‘Dardania’.

I dyshuari A.R, 24 vjeçar me urdhër të prokurorit ka qenë në mbajtje nga dje, ndërsa sot i është caktuar masa e paraburgimit një muaj.

Avokati, Fanol Krasniqi ka konfirmuar për Indeksonline se të dyshuarit A. R i është caktuar masa e paraburgimit për bashkëkryerje të grabitjes së armatosur.

“Të dyshuarit A.R i është caktuar masa e paraburgimit. Me urdhër të prokurorit ai ka qenë në mbajtje nga dje, ndërsa sot i është caktuar masa prej 1 muaj paraburgim”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.

Ndërkohë që hetuesit policor po punojnë në kapjen e tre personave të tjerë të cilët janë identifikuar nga ana e policisë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këtë rast dhe disa raste të tjera të natyrës së njëjtë.

Indeksonline nga burimet mëson se personat që po kërkohen janë K.SH, L.L dhe E.Sh./Indeksonline/