Tragjike, i riu vret të dashurin e motrës që ishte 20 vjet më i vjetër
Një 34-vjeçar, baba i tre fëmijëve mbeti i vrarë në fshatin Zallbastar të Tiranës.
Viktima është Arben Gjini, i cili gjeti vdekjen në Spitalin e Traumës si pasojë e plagëve të marra kryesisht në kokë, ndërsa fillimisht u përfol si ngjarje aksidentale.
Por hetimet e policisë bëjnë kanë zbuluar se krimi ka ndodhur për nder, pasi i dyshuari kishte lidhje me një 20-vjeçare të martuar.
Kështu si i dyshuar për ngjarjen u arrestua vëllai i së resë Esat Cani 29 vjeç, bashkëshorti i saj Dajet Kurti, si dhe 20-vjeçarja E.Cani për moskallëzim krimi.
Mësohet se krimi ka ndodhur pasi e reja kishte dalë për të takuar Gjinin, me të cilin dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore.
Në atë moment ajo është ndjekur dhe ruajtur nga i vëllai dhe i shoqi, ku teksa janë kapur mat, Cani ka nisur të qëllojë me sende të forta ndaj personit që kishte cenuar nderin e familjes, duke i shkaktuar plagë të rënda. Ishte bashkëshorti i së resë i cili kishte mësuar se e shoqja e tradhtonte dhe në këto kushte i kishte treguar kunatit, duke vendosur që të ndjekin të renë.
Por kur u përballën me vajzën dhe të dashurin e saj, 29-vjeçari nuk e kontrolloi veten, duke e qëlluar Gjinin. Për pasojë i dëmtuari gjeti vdekjen në spital.
Krimi ndodhi gjatë së premtes, ndërkohë që të shtunën, u bë dhe ceremonia funerale.