75 Mall Live Search
10:38 / E Martë, 29 Janar 2019 / indeksADMonline

HESHTJA e Fatmir Limajt për taksën!

Zëvendëskryeministri i Republikës, Fatmir Limaj ka disa ditë që po heshtë për temën e taksës 100%.

Në kohën kur kjo taksë u vendos nga qeveria “Haradinaj”, Limaj dhe ministri i tij, Endrit Shala “rrihnin gjoks” për vendosjen e kësaj tarife ndaj Serbisë duke marrë merita.

Tani kur presione ndërkombëtarë po rritet dhe po lëkundet kjo qeverisje, NISMA ka zgjedhur heshtjen rreth kësaj çështje, shkruan Indeksonline

Ndryshe, kryeministri, Ramush Haradinaj është duke insistuar që kjo taksë mos të hiqet deri sa të ketë marrëveshje finale me Beogradin zyrtar.

Ndërsa partneri më i fuqishëm, njëherësh shefi i PAN-it, Kadri Veseli ka dhënë një ide që taksa të pezullohet përkohësisht për 120 ditë, derisa të ketë reflektim.

Vlen të theksohet se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë edhe zyrtarisht ka kërkuar pezullimin e taksës për produktet e Serbisë dhe Bosnjës.

Në një deklarate për media, thuhet se pezullimi i menjëhershëm i taksës është masë e nevojshme për të rimëkëmbur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin plotësisht Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me dobishmëri të ndërsjellë është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara. Siç komunikoi Presidenti Trump në letrën e tij Presidentit Thaçi: “Ju nxis juve dhe udhëheqësve të Kosovës që të shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me zë të unifikuar gjatë bisedimeve të paqes, dhe që të përmbaheni nga veprimet që mund ta bëjnë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje”, thuhet në komunikatë. /Indeksonline/