Shoqata e Prokurorëve të Kosovës reagon ndaj propozimeve për koeficient të pagave
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka shqyrtuar sot në mbledhjen e jashtëzakonshme Projektligjin për pagat në sektorin publik, me ç’rast ka pasur një fokus të veçantë diskutimesh për propozimet e dhëna për koeficientet për sistemin prokurorial, të cilat konsiderojmë se janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit.
Ky kategorizim nivelesh të pagave është në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë së pushteteve, e drejtë kjo, të cilën e garanton në mënyrë eksplicite Kushtetuta e Kosovës.
Sipas këtij propozimi, del se pagat e prokurorëve të shtetit zvogëlohen pothuajse 100%, në krahasim me të tanishmet, gjë që është në kundërshtim, përveç të tjerave, edhe me Ligjin për Prokurorin e Shtetit, në të cilin thuhet shprehimisht se “paga e prokurorit të shtetit mund të zvogëlohet vetëm me masë disiplinore”, si dhe është edhe në kundërshtim të haptë edhe me Kartën evropiane për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës konstaton me këtë rast se ky propozim, i cili nëse miratohet dërgon gjer te ulja e pagave të prokurorëve, kurse Kryeprokurori i Shtetit radhën e koeficienteve renditet në vendin e 14-të, është jashtëzakonisht denigrues dhe nënçmues për sistemin prokurorial, në kohën kur si shtet synojmë plotësimin e standardeve dhe kritereve për t’u anëtarësuar në BE dhe fuqizimin e sistemit prokurorial në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera kriminale. Gjithashtu vlerësojmë qartazi se ky sistem i propozuar për pagat e prokurorëve është demotivim për punën tonë dhe degradim i sistemit prokurorial në përgjithësi.
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës bën apel të Kryetari i Kuvendit të Kosovës, komisionet përkatëse parlamentare, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Kryeministri, që para të se të miratohet projektligji për pagat, të shqyrtojë edhe një herë seriozisht gjetjen e mundësisë për ruajtjen e sistemit të tashëm të pagave, përndryshe, do të jemi të detyruar që të drejtën tonë ligjore dhe kushtetuese ta kërkojmë në forma të tjera.