Ekskluzive: Presidenti i Trepçës ’89 tregon synimet për vitin 2019
Ish kampioni i Kosovës, Trepça ’89 nuk ka kaluar shumë mirë në vitin 2018, të cilin e mbylli në vendin e 8-të në tabelë me 22 pikë, vetëm një më tepër se zona e barazhit.
Pas dorëheqjes së trajnerit, Gugash Magani, klubi mitrovicas ka vendosur të largoj shumicën e futbollistëve të huaj në afatin kalimtar të janarit. Presidenti i klubit, Abedin Zeka, në një intervistë për Indeksonline, ka thënë se objektivi për vitin 2019 dhe edicionin pranveror është ta mbyllin në mesin e tabelës.
“Fokusi ynë është në Superligë që të jemi në mesin e tabelës. Jemi edhe në çerekfinale të Digitalb Kupës por kemi kundërshtar Prishtinën. Ne do të shkojmë atje për fitore, por Prishtina është favorite sepse ka skuadër më të mirë”.
Sa i përket afatit kalimtar të janarit Zeka u shpreh: “Nuk kemi bërë shumë transferime, por i kemi liruar maqedonët dhe bullgarët qe kemi pasur në skuadër. Kam shumë besim te trajneri Sabit Osmani me të cilin punoj që 20 vjet. Ai e ka kthyer identitetin e Trepçës ’89 dhe i uroj suksese në vitin e ri”, përfundoi Zeka.
Edicioni pranveror për ekipin mitrovicas fillon të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” ku ballafaqohen me Prishtinën në Digitalb Kupë. /Indeksonline/