75 Mall Live Search
18:36 / E Hënë, 04 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Ministri Lekaj: Nuk është e vërtetë, MIT nuk ka zgjatur kohën e punimeve për Bechtel& Enka

Instituti Demokratik i Kosovës me anë të një njoftimi ka thënë se Ministria e Infrastrukturës dhe Bechtel & Enka, janë marrë vesh që kësaj të fundit t’i zgjatet afati për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit. 

Sipas tyre, kjo gjë që ia pamundëson Qeverisë së Kosovës të kërkojë penalti për moszbatim të kësaj kontrate me kohë.

Mirëpo, sipas udhëheqësit të këtij dikasteri ky konstatim nuk është i saktë.

“Nuk është i saktë konstatimi se MIT ka zgjatur kohën për përfundimin e punëve ndërtimore në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”, por vetëm afatin për pagesën e shumës së shpenzimeve për zgjatjen e kësaj kontrate”, ka thënë Ministri Pal Lekaj për Indeksonline.

Ministri i Infrastrukturës ka thënë se kontrata për realizimin e Projektit të autoudhës “Arbën Xhaferi”, ka qenë e planifikuar të përfundonte në janar të vitit 2018, porse duke parë që një gjë e tillë është e pamundur, ministria me 27 shtator të vitit 2017, kishte zgjatur kohën për përfundimin e këtij projekti deri më 31.12.2018, ndërsa shpenzimet për këtë zgjatje do të përcaktoheshin më vonë.

“Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 5 qershor 2018 për akordimin e shumës prej 53,1 mil. euro, në emër të kontratës së datës 27 shtator 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me daten 5 shtator 2018, ka nënshkruar një aneks të kontratës për përcaktimin e afateve kohore të pagesës së kësaj shume, e cila pritet të paguhet në këste të barabarta deri me 1 qershor 2019. Prandaj, nuk është i saktë konstatimi se MIT ka zgjatur kohën për përfundimin e punëve ndërtimore në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”, por vetëm afatin për pagesën e shumës së shpenzimeve për zgjatjen e kësaj kontrate”, ka thënë Lekaj në një prononcim për Indeksonline.

Sipas tij, këto dy çështje janë të ndara sipas kontratës dhe aneks kontratave të nënshkruara nga të dy palët.

Lekaj ka thënë se ministria që ai drejton mbetet e përkushtuar në përkushtimin e vazhdueshëm edhe të palës tjetër për zbatimin e kontratës.

“Këto dy cështje janë të ndara sipas kontratës dhe aneks kontratave të nënshkruara nga të dy palët. MIT mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të dispozitave kontraktuale dhe mirëpret përkushtimin e vazhdueshëm edhe të palës tjetër për zbatimin e kontratës. Ditëve në vijim do të bëhen të ditura shkaqet për vonesën e përfundimit të këtij projekti dhe veprimet e mëtejme për vonesën”, ka theksuar tutje Lekaj.

Ministri i Inftrastukturës, njëherit ka kërkuar nga mediat dhe organizatat jo qeveritare të mos keq informojnë qytetarët dhe të interpretojnë dokumentacionet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. /Indeksonline/