Lladrovci: Komuna jonë, qoftë e fundit që ka përjetuar një shembull të tillë tragjik
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka shkruar se sot ishte një ditë e rëndë në këtë komunë.
Ai se bashku me qytetarët doli dhe shprehu qëndrimin qytetar ndaj rastit të abuzimit seksual të vajzës së mitur, transmeton Indeksonline.
Lladrovci ka thënë se shpërdorimi i detyrës nga një individ, nuk guxon të lëkund besimin tonë në arsim, polici, mjekësi e as prokurori.
“Komuna jonë, qoftë e fundit që ka përjetuar një shembull të tillë tragjik për vajzën, për familjen e saj dhe të gjithë neve”, ka shkruar ai mes të tjerash.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Sot, ishte një ditë e rëndë për të gjithë neve, ishte ditë e manifestimit të zhgënjimit qytetar në Drenas, ndaj rastit të abuzimit të vajzës së mitur, nga njerëzit e tri profesioneve që gëzojnë besimin e secili qytetar.
Së bashku me qytetarët e mi, me nxënësit, shpreha qëndrimin tim qytetar, ndaj rastit të pashembullt në vendin tonë, ndaj abuzimit të të miturës, si një nga plagët më të rënda për një vajzë.
Ishte ditë e rëndë sepse, rrugëve të komunës
tonë, shprehëm solidaritet me vuajtjet e vajzës së abuzuar si dhe të familjes
së saj,
Ishte ditë e shprehjes së pakënaqësisë ndaj veprimeve të një arsimtari,
ishte ditë, e shprehjes së pakënaqësisë ndaj veprimeve të një polici,
ishte ditë e shprehjes së pakënaqësisë ndaj veprimeve të një mjeku,
për të mos u përsëritur kurrë, askund,
për t’u trajtuar dhe vlerësuar në pajtim me ligjet në fuqi.
Shpërdorimi i detyrës nga një individ, nuk guxon të na lëkund besimin tonë në arsim, polici, mjekësi e as prokurori, profesione të çmuara dhe të respektuara nga të gjithë qytetarët.
Në këtë rast, presim sa më shpejt, organet gjegjëse të japin vendim për çfarëdo shkelje të detyrave apo përgjegjësive që bien ndesh me ligjin, nga të gjithë personat e implikuar në rastin e abuzimit.
Komuna jonë, qoftë e fundit që ka përjetuar një shembull të tillë tragjik për vajzën, për familjen e saj dhe të gjithë neve!
