Bayern, kampion nëse do të luheshin ndeshjet vetëm 45 minuta
Plot 12 pikë ka lënë Bayerni i Munich-ut në 45 minutat e dyta.
“Shumë pikë”, kritikoi pas ndeshjes në Leverkusen, trajneri Niko Kovaç. A është skuadra pas pushimit shumë neglizhente? “TZ” mendon që po. Topi është i rrumbullakët dhe ndeshja zgjat 90 minuta. Kjo është e qartë për të gjithë. Kjo është ajo që po shkakton te skuadra e Bajernit problemet më të mëdha. 15 nga 23 golat e pësuar, bavarezët i kanë marrë pas pushimit të pjesës së parë. Fakt është: tri herë kanë arritur të dorëzojnë avantazhin nga pjesa e parë kampionët e Gjermanisë. Kjo u vu re edhe nga trajneri kroat. “Po krijojmë një filozofi të gabuar teksa kur kalojmë në avantazh, mendojmë që e kemi të fituar ndeshjen. Por kjo nuk funksionon. Duhet të sulmojmë përgjatë gjithë 90- minutëshit”.
KAMPION, VETËM NË 45 MINUTAT E PARA
Kur u hedh një vështrim statistikave, krijon idenë se trajneri ka të drejtë. Nëse i hedh një sy 45 minutat e para, mund të dallosh qartë se bavarezët janë në rrugën e duhur drejt fitimit të titullit. Me 8 pikë më shumë se skuadra e Borusias së Dortmundit. Por nëse do të marrim vetëm ato 45 minutat e dyta, gjendja është krejt ndryshe. Aty kampionët e Gjermanisë janë gjashtë pikë prapa verdhezinjve. Në realitet, bavarezët renditen në vendin e tretë me shtatë pikë më pak se Borusia.
SHUMË GOLA TË PËSUAR
Një sinjal alarmi për trajnerin Kovaç dhe skuadrën e tij është edhe numri i shumtë i golave të pësuar. Në pesë ndeshje, skuadra ka pësuar plot tre gola për takim. Në Dortmund, Bayerni shpërdoroi avantazhin 0-1, duke u mundur 2-3. Ndaj Dyseldorfit ishte një tjetër paraqitje e shëmtuar. Pasi kaluan në avantazhin 3-1, skuadra e ardhur nga kategoria e dytë gjermane arrin të barazojë shifrat vetëm pak minuta nga fundi, duke marrë një barazim të vlefshëm në “Allianz Arena”. Ndeshja ndaj Leverkusenit nuk ishte gjë tjetër, veçse një konfirmim i gjendjes së skuadrës. Pasi shënuan të parët me anë të Leon Goretzkas, Bayerni u shthur në pjesën e dytë, duke pësuar plot tre gola për 45 minuta. “Duhet të sulmojmë dhe të mbrohemi të gjithë së bashku”, ishin fjalët e trajnerit pas ndeshjes. 12 pikë të lëna nuk janë pak kur ndodhesh në një situatë të tillë.
PORTIERI DHE MBROJTJA, NË SHËNJESTËR
Të pretendosh që Ulraich është e keqja e Bayernit, është disi e tepruar. Në ndeshjet e lartpërmendura, portieri i dytë i skuadrës bavareze ka qenë prezent vetëm në Leverkusen. Duke mos llogaritur ndeshjen e fundit në Berlin, të gjithë golat, edhe pse nuk i janë faturuar kapitenit Neuer, nuk e shfajësojnë atë direkt nga përgjegjësia. Ky është sezoni më i dobët i tij që kur erdhi nga Schalke. Statistikat flasin kundër Manuelit, i cili prej dy javësh nuk luan me skuadrën për shkak të një dëmtimi në gishtin e dorës.
Para tij qëndrojnë një pjesë tjetër lojtarësh. Mats Hummels dhe Jerome Boateng janë dy lojtarët që ndodhen në bankën e të akuzuarve. I vetmi që shpëton është Sule. I riu gjerman ka treguar stabilitet në pozicionin e tij, ndryshe nga Hummels dhe Boateng. Ky i fundit është lënë jashtë në dy ndeshjet fundit. Gabimi i fundit në ndeshjen ndaj Herthës mund t’i kishte kushtuar Bayernit kualifikimin për në 1/8. Mats Hummels nuk largon një top në zonë, duke ia dhuruar kundërshtarit, i cili barazon shifrat. Fati ishte me Hummelsin, që gjeti shpëtim te goli i Kingsley Komanit, i cili vulosi takimin në kohën shtesë.