Dihen çiftet gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës
Është hedhur shorti për ndeshjet gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll.
Shorti i hedhur sot në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës i ka zbuluar dy çiftet gjysmëfinale, ndërsa përballja më interesante pritet të jetë ajo ndërmjet Vëllaznimit dhe Trepçës ’89.
Çifti tjetër gjysmëfinal do të jetë ai në mes të Feronikelit dhe Ballkanit, ku skuadra nga Drenasi shihet si favorite.
Ndeshjet e para të gjysmëfinales zhvillohen më 17 prill, ndërkohë ato kthyese më 1 maj.
Fituesi i Kupës luan në Ligën e Evropës, që do të jetë edhe një motiv shtesë për skuadrat që kanë arritur deri në këtë pikë të garave.