Rikthehet grupi Marigona, flasin për detajet e projektit!
Marigona, grupi më i suksesshëm muzikor nga Kosova që është themeluar në vitin 1991 duket se po rikthehen fuqishëm në treg pasi që ata kanë pauzuar për një kohë të gjatë.
Këtë e ka bërë të ditur vetë grupi që janë duke e përgatitur një këngë të re pas 14 viteve e titulluar “Ku je”, e për detaje Vullnet Sefaja, vokalist i grupit që nga themelimi, ka dhënë një intervistë për Indeksonline.
Pse pas kaq shume viteve vendoset ta bëni prapë një bashkëpunim?
-Arsyeja me të thënë të drejtën, jemi mbledh shokët e grupit edhe kemi vendos me bo diçka për shpirtin tonë. Normalisht kemi pas edhe presion prej njerëzve që na kanë dëgjuar e kjo është arsyeja.. për kënaqësi tonën dhe të publikut.
A është kjo këngë që do të jetë nga albumi apo vetëm ‘one of’ ?
-Për momentin është one of, kemi planifikuar me i bo edhe disa këngë tjera. Po për momentin po ia fillojmë me një këngë të cilës ka me ju publiku edhe videoklipi e po ashtu marrëveshjen që e kemi bo me kompaninë On Air prej të cilëve kemi gjet përkrahje shumë të madhe që të ardhurat e Youtube me i dhënë për bamirësi.
Kush është pjesë e grupit te “ri” Marigona ?
-Pjesë e grupit Marigona do të jenë antarët e vjetër: Unë, Ilir Tolaj, Labinot Krasniqi, Faton Kurteshi, Teoman Ukça, Edon Ramadani e Xhemil Gjini.
Po videoklipi e muzika nga kush janë punuar?
-Videoklipin e kemi punuar me disa djem të rinj të cilët na kanë ndihmuar shumë ,realisht kisha pas dëshirë me i falënderu publikisht përmes mediumit tuaj Valon Mustafën, Debatik Dafota, Lluka Murati, Fatlum Hajrullahun. Sa për pjesën e këngës, Ilir Tolaj e ka punuar këngën, tekstin e ka shkruar Ilir Maqastena e unë e kam kënduar.
Çka vjen pas kësaj, a do të ketë ndonjë promovimin të këngës, apo ndonjë koncert?
-Për momentin jo, sot në ora 17:00 do të publikohet kënga ne Youtube e kisha pas qejf publiku me e shiku dhe me e ndëgju pasi që të gjithë mund të jemi participues në ndihmë të dikujt.
Ndonjë porosi për fansat?
-Faleminderit që na keni qëndru besnik deri tani, do të mundohemi që edhe ne të ju qëndrojmë juve!/Indeksonline/
