Tahiri: Pasurinë do ta deklarojë të autorizuarit publik që mund të abuzojnë e të përfitojnë paligjshëm
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vazhduar mëngjeset e punës me shoqërinë civile.
Në një status në rrjetin social në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se kësaj radhe, kanë diskutuar për deklarimin e pasurisë dhe mandatin e Agjencisë Kundër Korrupsionit. “
Jam mirënjohës ndaj shoqërisë civile për debatin e shëndoshë dhe konstruktiv në raport me temat që shtrohen për sistemin e drejtësisë dhe perspektivat për përmirësimin e mëtejmë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Sot, kishim një mëngjes pune, ku diskutuam për rregullimin e fushës së deklarimit të pasurisë dhe mandatit të Agjencisë Kundër Korrupsionit” ka shkruar Tahiri.
Sipas Tahiri, me politikat e reja, deklarimi i pasurisë do të rris transparencën, integritetin dhe parandalimin e konfliktit të interesit dhe korrupsionit.
“Çështjen e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik jemi duke e shtruar në një rrafsh tejet serioz dhe premtues, që institucioneve tona do t’i sigurojë rritje të transparencës, integritetit dhe parandalimin e abuzimit, konfliktit të interesit dhe korrupsionit. Kemi konsensus të plotë që në ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë, do të ndryshojnë dhe shtohen subjektet deklaruese, forma e deklarimit dhe instrumentet për verifikimin e të dhënave të deklaruara. Çdo pozitë që ushtron autorizime publike e që mund të jetë subjekt i përfitimit të paligjshëm, duke qenë në konflikt interesi, apo duke përfituar shumëfish nga buxheti i taksapaguesve tanë, do jetë subjekt i deklarimit të pasurisë” ka përfunduar Tahiri.