SBASHK s’pranon kompensimin e orëve të humbura, paralajmëron ankesë në gjykatë
Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës thonë se vendimi i ministrit të Arsimit për kompensimin e orëve të humbura për shkak të grevës, është marrë pa ndonjë konsultim paraprak me SBASHK-un.
Ata thonë se për këtë do t’i drejtohen edhe
gjykatës me kërkesën për pezullimin e vendimit. Ndërsa Këshilli i Prindërve të
Kosovës e përkrah ketë vendim, sepse është në interes të nxënësve për çka
kërkon mirëkuptim nga mësimdhënësit.
Vendimi i fundit i Ministrit të Arsimit për kompensimin e orëve të humbura
gjatë grevës së mësimdhënëseve po kundërshtohet nga Sindikata e Bashkuar e
Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Ymer Ymeri, nga kjo sindikatë, tha për Radio Kosovën se ministri e ka marrë
ketë vendim pa u konsultuar me SBASHK-un, dhe, sipas tij, ky vendim është i
papranueshëm.
“ Mendojmë që është ngutur ministri me këtë vendim, për shkak që nuk ka mbajtur
asnjë takim paraprak me përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit për kompensimin e
orëve të humbura. Për sindikatën ky vendim është i papranueshëm.”
Ymeri tha po ashtu se janë duke u konsultuar me zyrën ligjore dhe avokatin që
të merren masa për pezullimin e këtij vendimi të njëanshëm dhe në kundërshtim
me Ligjin për grevat.
“ Jemi duke u konsultuar me zyrën ligjore dhe avokatin që e ka SBASHK-u. Dhe
ketë vendim të ministrit do ta dërgojmë në gjykatë me kërkesën që të merret
masa e pezullimit të vendimit deri në vendimin e fundit ,sepse mendojmë që
është vendim antiligjor.”
Ndërsa, Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i tha
Radio Kosovës se e mirëpresin ketë vendim pasi edhe këshilli pas takimit të
fundit i ka sugjeruar ministrit që kompensimi të behet në ketë mënyrë.
Kompensimi i orëve të humbura është në interes të nxënësve dhe mësimdhënësit
duhet të kenë mirëkuptim, tha Reshiti.
“Në takimin që e ka mbajtur më 15 shkurt të këtij viti, ka dalë me qëndrim që
ka kërkuar nga MASHT për të bërë zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.
Ne si Këshill i Prindërve të Kosovës e mbështesim vendimin e ministrit, e
konsiderojmë të drejtë dhe të bazuar në Ligj, sepse interesimi i nxënësve në
këtë rast është që të zëvendësohen orët e humbura të mësimit.”
Ministri i Arsimit ka marrë vendim që orët e humbura për shkak të grevës së
mësimdhënësve të kompensohen si në vijim: pesë ditë do të zëvendësohen nga
pushimi pranveror; pesë ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë këtij viti
shkollor si dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.
Mësimdhënësit kanë mbajtur grevë nga 14 marsi e deri me 1 shkurt 2019.