Vazhdojnë përplasjet, Thaçi i kundërpërgjigjet Haradinajt nga Prizreni
Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, kanë zgjedhur sot vendet ku historikisht kanë gëzuar përkrahje elektorale për ta sfiduar njeri tjetrin
Akuzat për ‘coptim’ të Kosovës të cilat Haradinaj sot i ka drejtuar nga Deçani në adresë të Presidentit Thaçi, u pasuan nga ky i fundit me veprime konkrete në qytetin e Prizrenit.
Në Prizren, ai u takua me qytetarë të shumtë nga ku u deklarua se do ta mbështes vullnetin e tyre dhe gjithë qytetarëve të Kosovës për respektimin e Amerikës.
Ai po ashtu u deklarua edhe rreth idesë për “korrigjim të kufirit” me Serbinë, ku ripërsëriti se synimi i tij është bashkimi i Preshëves, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Për dallim prej Kryeministrit Haradinaj, Thaçi vlerësoi se duhet dëgjuar çdo kërkesë të SHBA-së rreth përfshirje në dialog me shtetin serb, duke aluduar në vendimin për taksën prej 100 për qind.
“Çdo qasje tjetër apo kryeneqësi, është ana e gabuar e historisë tonë”, shtoi Thaçi, duke akuzuar në mënyrë të tërthort Haradinajn.
Raportet ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, janë acaruar si pasojë e qëndrimeve të kundërta rreth idesë për ndryshimin e kufijve që buron nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
—
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me tone të ashpëra i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që të mos të mendon që e mashtron Kosovën, as me korrigjim të lehtë të kufijve sepse kjo nuk do të ndodhë.
Sipas tij, asnjë pjesë të territorit të Kosovës nuk kontestohet dhe për ketë arsye nuk mund të ndodhë asnjë korrigjim i kufijve dhe se Kosova në kufijtë 17 shkurtit nuk kthehet prapa.
“Sa do vështirë që ka me qenë, këta mbane mend me i ruajt kufijtë e Kosovës së 17 shkurtit, iu siguroj se s’mundet kush me i prekë, nuk ka kush me i prekë…vija kufitare me Serbinë nëse është korrigjim i lehtë nuk mundet me qenë jo i lehtë. I bëj thirrje presidentit tonë, Hashim Thaçi që të mos mendoj që e mashtron më Kosovën as me korrigjim të lehtë. Shënimi i kufirit mes dy shteteve është proces që vjen pas njohjes. Kufiri ekziston, policia jonë e patrullon. Kemi pika, kemi shenja çdo gjë është, hiç Karaqevën që është në kontekst…s’ka korrigjim e në emër të korrigjimit me na lujtë lojën qysh ma kanë lujtë, nuk ka budallë më”, tha kryeministri Hardianaj.
Kreu i qeverisë, gjithashtu përsëriti se nuk do të ketë “Republikë të Dodikut”, asociacion me kompetenca ekzekutive të komunave me shumicë Serbe.
“Nuk do të ketë “Zajedincë” të tipit Republika Serbe në Kosovë, harrone këtë nuk ka me pasur, nuk mundet me pas. Ju siguroj një gjë nuk ka popull më të respektueshëm se shqiptarët në komunitetet etnike”, tha ai.
Ndërsa, sa i për ketë largimit të trupave Amerikane, tha se dëshirojnë që ata të mbesin në Kosovë, pasi sipas tij, ata janë në shtëpi të vet dhe asnjë veprim i Kosovës nuk do ta prish këtë marrëdhënie.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, Hardinaj tha se Amerika operon globalisht për siguri dhe mund të ndodhë që për arsye të tjera mund të largohet trupat amerikane, por jo për shkak të taksës.
“Ne dëshirojmë që me mbet Amerika në Kosovë në KFOR, me mbet NATO këtu, jo vetëm Bonsteli këtu. Jo vetëm kaq, por ushtari i Amerikës ku të është nuk ka nevojë për rimbursim. Çdo shtëpi e Kosovës është shtëpia e tij. Ata janë në shtëpi të vet dhe ne si Kosovë do ta sigurojmë këtë marrëdhënie”, shtoi Haradinaj.
Ai mes tjerash kishte dhe akuza të ashpëra ndaj politikanëve dhe ambasadores Vlora Çitaku që po i bëjnë presion atij përmes ShBA-së.
“Janë prej Kosovës që po shkojnë po thonë nëse ka thuani këta do ta hekin taksën, merreni me mend deri ku ka shkuar…ambasadorja Vlora Çitaku nuk është e Kosovës është ambasadore e Hashim Thaçit, janë një rrjet i pshtjellaqeve të këtij vendi që po na marrin në qafë”, deklaroi shefi i qeverisë.
Këto komente Haradinaj i bëri gjatë Kuvendit të tetë zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në qytetin e Deçanit.