MI: Kosova nuk e ka humbur asnjë cent nga fondet e BE-së
Sot, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, raportoi pranë Komisionit të përhershëm parlamentar për Integrime Evropiane, mes tjerash për fondet e BE-së për Kosovën.
Përmes një sqarimi për media Ministria shkruan se asnjë cent ky institucion nuk e ka humbur nga këto fonde, ndryshe nga se u raportua.
“Me këtë sqarim, duam të njoftojmë opinionin se Kosova nuk ka humbur as edhe një cent të vetëm nga fondet e BE-së dedikuar Republikës së Kosovës, përkundrazi, fondet e BE-së janë rritur e assesi nuk janë zvogëluar.
Me IPA 2016, Pjesa 2, është nënshkruar Kontrata për Mbështetje Buxhetore për Reformën e Administratës Publike, në vlerë prej 25 milion euro, kurse me IPA 2017, Pjesa 2, është nënshkruar Kontrata për Mbështetjen Buxhetore për Menaxhimin e Financave Publike, në vlerë prej 25 milion eur”, shkruhet në sqarim, përcjellë Indeksonline.
Po ashtu, Ministrja Hoxha informoi Komisionin parlamentar se fondet e BE-së për Kosovën vetëm sa janë rritur: IPA 2017 ka ndarë 73 milion euro, IPA 2018 ka ndarë 90.5 milion euro, kurse IPA 2019 – 2020 mbi 200 milion euro.
Përpos fondeve të IPA-s, Kosova përfiton fonde edhe nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor (WBIF), vuri në dukje Ministrja Hoxha, vetëm në këtë raund të aplikimeve, pra raundi 21 i aplikacioneve në kuadër WBIF-së: vlera e projekteve infrastrukturore tejkalon shumën prej 250 milion euro, vetëm ndërtimet e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, impianteve për ujë të pijshëm dhe kolektorë të ujërave nëpër qendrat e mëdha dhe të vogla të Kosovës tejkalojnë vlerën prej 400 milion euro.