75 Mall Live Search
20:07 / E Hënë, 04 Mars 2019 / indeksADMonline

Bahtiri: S’po kanë guxim të merren me peticionin për Bashkimin e Mitrovicës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se peticioni për Bashkimin e Mitrovicës nuk po merret seriozisht, kjo pasi që askush nuk ka treguar guxim për të vepruar.

“Ne si komunë s’kemi lënë vend e institucion pa e dërgu për vullnetin që e kanë shprehur qytetarën tanë. Shpresojë se këta duhet me vepru drejt dhe me e shqyrtu si duhet kërkesën e tyre. Deri më tani nuk kam marrë përgjigje se për çfarë arsye se ajo është dërguar në Qeveri dhe ata e kanë përcjellur në Ministrinë e Pushtetit Lokal, dhe ende askush nuk po ka guxim me fillu procedurën prej komisioneve. Unë për atë arsye ja kam dërguar edhe presidentit me nënshkrim të mërkurën dhe Grupeve Parlamentare”, ka thënë Bahtiri në një prononcim për Indeksonline.

Nga ana e tij, Bahtiri është shprehur optimist se peticioni për Bashkimin e Mitrovicës do të përkrahet 100%, pasi që sipas tij nuk ka se si të mos mbështetet vullneti i qytetarëve.

“Unë jam shumë optimist 100% pasi që nuk ka zgjidhje tjetër. Janë mbledhur gjithsej 16 mijë e 594 nënshkrime. Unë prapë bëjë thirrje që të merren me këtë temë sepse është vullnet i popullit për të mbijetuar qeverisja normale e njerëzore, pushteti lokal që të shtrihet edhe në atë pjesë të vendit e cila është ndarë padrejtësisht”, ka thënë tutje Bahtiri gjatë bisedës.

Bahtiri nuk e ka lënë pa përmendur edhe kërkesën e Duda Balje, e cila ka kërkuar nga ai që e njëjta kërkesë t’i dërgohet Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

“Sekretaria e ka për detyre me dorëzu, unë e kuptojë deputeten Duda Balje për gatishmërinë dhe guximin e saj për të vepruar, por e kisha lutë që herave tjera të merret pak me sekretari dhe atje e gjenë komplet peticionin dhe kërkesën e saj, pastaj të merret me vendimin që të kalojë në fazën e rishqyrtimit”, vlerësoi Bahtiri. /Indeksonline/